Janë dy kallëzimet penale që çuan në pranga ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Sako.
I pari ai i banorëve të një pallati në lagjen Nr.5 në Durrës, që u bë i pabanueshëm nga tërmeti i nëntorit 2019. Sipas banorëve leja e ndërtimit ishte dhënë në kundërshtim me ligjin.
Kallëzimi i dytë është bërë nga ish-kreu i PD Durrës, Ferdinand Xhaferaj. Bëhet fjalë për një procedurë prokurorimi projekt zhvillimor vlera e të cilit është “fryrë” duke kapur shifrën e 220 milionë lekëve të vjetra, nga përllogaritjet që ka bërë SPAK.
Referuar dy raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit për “projektim zbatim për Promendadën Bregdetare dhe Plazhin Publik nga Bërryli deri në Currila”, i është shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit në shumën 18 milion lekë.
Sipas SPAK, referuar historikut të ndërtimit të pallatit në fjalë, pasi është miratuar lekja e ndërtimit për shtatë kate, “pa filluar ende punimet ka bërë kërkesë për rikondicionin e sheshit të ndërtimit dhe ndryshime në projekt dhe shtesë katesh, edhe kjo pa marrë ende leje për prishjen e objektit ekzistues ku do të ndërtohej ndërtimi i ri”.
Referuar provave të siguruara gjatë hetimit, SPAK pretendon se qëllimi i vërtetë i zyrtarëve të Bashkisë Durrës, por edhe i ndërtuesit ka qenë pajisja me dokumentacion tekniko-ligjor të ndërtimit të objektit, i cili jo vetëm kishte përfunduar shumë kohë më parë, por edhe objektivisht ka qenë i pamundur të ndërtohet në një afat kohor prej shtatë muajsh dhe në këtë afat të përpilohen të gjithë dokumentacionet e nevojshme.
SPAK thekson në dosje:
“Rezulton që subjekti si fillim ka marrë leje për shtatë kate (shtator 2010), menjëherë në datën 20 dhjetor ka dorëzuar kërkesë për rikondicionim dhe shtesë kati, më pas për 3 kate shtesë (11 maj 2011) dhe si përfundim janë miratuar 4 kate shtesë pa patur asnjë kërkesë të tillë për katër kate, ndonëse sikurse u tha, leja e ndërtimit në fjalë nuk ka hyrë në fuqi në këtë periudhë kohore, por vetëm në datën 14 tetor 2014, kur është nënshkruar nga ish-kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako dhe ish-kryetari i Këshillit të Rregullimit të Territorit, personin nën hetim Adhurim Qehajaj”.
Nga hetimi ka rezultuar se pallati kishte përfunduar së ndërtuari dhe madje ishte lidhur edhe rrjeti i ujit të pijshëm, ndërkohë që ende nuk ishte zbardhur leja e ndërtimit e miratuar nga Bashkia Durrës.
10 të akuzuarit në dosjen e Dakos
Vangjush Dako – Arrest në burg
Adhurim Qehahaj – Arrest në burg
Ermal Lama – Arrest në burg
Fatmir Ejupi – Arrest në burg
Adrian Bulku – Arrest në burg
Fiqiri Farruku – Arrest në burg
Adnand Toçila- Arrest në burg
Meri Semini (Priftuli) –Arrest në shtëpi
Ferzilet Hajderi – Arrest në shtëpi
Diana Dedja – Arrest në shtëpi