Politika Drafti i Ramës për Asociacionin, reagime të ndryshme nga Prishtina

Drafti i Ramës për Asociacionin, reagime të ndryshme nga Prishtina

Deklarata e kryeministrit Edi Rama se i ka dërguar një draft për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë liderëve të Gjermanisë dhe Francës, ka ngjallur reagime të përziera në Kosovë.

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj e ka vlerësuar draftin e kryeministrit Edi Rama për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e cilësuar si rëndësishëm dhe të mirë.

“Unë mendoj që Rama me propozimin e tij po bënë përpjeke që t’i rrise interesat e shteti të Kosovës në një kohë kritike dhe asesi që t’i dëmtoj këto interesa. Frika ime është që, mënyra se si Kurti është duke menaxhuar situatën në veri të vendit, ne mund të lëvizim drejtë një protektorati të plotë i cili si produkt mund të ketë një autonomi territoriale”, ka deklaruar Hoxhaj.

Duke vlerësuar kontributin e kryeministrit Rama, nënkryetari i PDK-së thekson se Shqipëria duhet të ketë një rol në tejkalimin e situatës.

Sipas tij, asociacioni nuk është shpikje e Ramës por një detyrim i Kosovës që nga marrëveshja e vitit 2013-të.

Por një tjetër ish-ministre e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, e ka kundërshtar propozimin e Ramës. “Pra tash “agjentët” e idesë së shkëmbimit të territoreve janë vënë në lëvizje për jetësimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Të mos gabohemi. Qëllimi mbetet i njëjtë: ndarja e Kosovës!”, shkroi Haradinaj.

“Dje i kam përcjellë Macronit dhe Scholzit një draft të Asociacionit, për të cilin kam vënë në dijeni edhe palën amerikane, gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë, kur palët dhe në këtë rast për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës, nuk po merren dot vesh as se kush duhet ta shkruajë këtë tekst, jo më se çfarë duhet të ketë teksti. Është dokument konfidencial, që nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale, por ju siguroj që është dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit”, tha Rama më herët gjatë ditës. “Shpresoj që ky material të çojë në një nivel tjetër dialogun dhe jo që të flasin me vete dhe për vete”, shtoi Rama.

Për propozimin reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha. “Teksti është shkruar në Beograd dhe rishkruar në Tiranë.  Ky akt përbën një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës. Përbën një akt më të shëmtuarin në historinë e marrëdhënieve mes dy vende, që nxit dhe nuk qetëson konfliktin”, tha ai.