Bota Vdes në qeli Ted Kaczynski, kush ishte “Unabomber”, i dënuar përjetë në...

Vdes në qeli Ted Kaczynski, kush ishte “Unabomber”, i dënuar përjetë në SHBA për 16 shpërthime me bomba

Kush ishte “Unabomber”, njeriu që ndryshoi mënyrën sesi amerikanët dërgonin pakot dhe hipnin në avion

Ted Kaczynski, i njohur si “Unabomber” e që po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për një seri bombardimesh nëpër SHBA u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në Karolinën Veriore këtë të shtunë. Lajmi u bë i ditur nga një zëdhënës i burgut për agjencinë e lajmeve Associated Press. Ai ishte 81 vjeç.

Kaczynski, i cili u dënua për njëri bombardimesh që kishin në shënjestër shkencëtarët, mbahej në Karolinën e Veriut, pas transferimit në 2021, nga burgu i sigurisë së lartë në Kolorado, për shkak të shëndetit të përkeqësuar. Shkaku i vdekjes momentalisht nuk bëhet i ditur.

Kaczynski u arrestua në vitin 1996. Ai u gjet në një strehë primitive në perëndim të Montanës. U shpall fajtor për 16 shpërthime që i morën jetën 3 personave dhe plagosën 23 të tjerë në vende të ndryshme të SHBA, mes viteve 1978 dhe 1995.

Bombat që i bënte vetë në shtëpi, Kaczynski i dërgonte me postë. Ato përfshinin edhe një eksploziv që aktivizohej nga lartësia dhe që ndodhi ashtu siç e kishte planifikuar në një fluturim të American Airlines, duke ndryshuar mënyrën sesi amerikanët dërgonin pakot dhe hipnin në avion.

Një kërcënim në vitin 1995 për të shpërthyer një avion jashtë Los Angeles para fundjavës së fundit të 4 Korrikut, futi në kaos fluturimet dhe dërgimin e postës. “Unabomber” deklaroi më vonë se bëhej fjalë për një “rreng”.

Matematicieni i trajnuar në Harvard u rebelua kundër efekteve të avancimit të teknologjisë duke i çuar autoritetet në gjurmimin më të gjatë dhe më të kushtueshëm në vend. FBI e pagëzoi me nofkën “Unabomber”, për shkak se objektivët e tij të parë dukej se ishin universitetet dhe linjat ajrore.

Në Shtator të 1995, Washington Post dhe New York Times publikuan manifestin e tij kundër teknologjisë të titulluar “Shoqëria industriale dhe e ardhmja e saj”. Ky shkrim u printua me kërkesë të autoriteteve federale, pasi Kaczynski tha se do të reshte së qeni terrorist, nëse një media kombëtare do të publikonte traktatin e tij.

Ishte pikërisht ky material që e çoi pas hekurave. Vëllai i tij David dhe bashkëshortja Linda Patrik njohën shkrimin dhe raportuan në FBI.

Në Prill të vitit 1996, autoritetet e gjetën Kaczynski në Montana, jashtë Lincoln, në një kabinë prej kompensate jo më shumë se 4 metra. Aty kishte jetuar prej vitit 1970. Streha ishte e mbushur me ditarë personalë, një ditar të koduar, përbërës për eksplozivë dhe 2 bomba të kompletuara.

Kaczynski e urrente idenë që të shihej si person me probleme të shëndetit mendor dhe gjatë gjyqit u përpoq të pushonte nga puna avokatët e tij, në momentin që ata donin të ngrinin mbrojtjen me argumentin e çmendurisë. Në fund ai pranoi fajësinë, duke mos i lënë avokatët që të vazhdonin.

Në ditarët e tij personalë, të bëra publike nga qeveria me kërkesë të familjes së viktimave, Kaczynski i përshkruante motivet e tij si “thjesht hakmarrje personale”.

“Shpesh fantazoja të vrisja njerëzit që urreja, zyrtarë të qeverisë, policë, shkencëtarë kompjuterikë, tipat e zhurmshëm të studentëve që i linin kanaçet e tyre të birrave në parqe, etj etj”, shkruante ai.

Kaczynski vrau pronarin e një dyqani kompjuterash me qira, Hugh Scrutton, ekzekutivin e reklamave Thomas Mosser dhe lobistin e industrisë së drurit, Gilbert Murray.

Genetisti nga Kalifornia Charles Epstein dhe eksperti kompjuterik i Universitetit të Yale, David Gelernter u gjymtuan nga bombat, në dy ditë diferencë nga njëri-tjetri, në Qershor 1993.