Sali Berisha, në një konferencë për mediat këtë të hënë, publikoi një video ku pretendonte se fakton batërdinë elektorale që ndodhi në Elbasan, siç e quaj ai.
“Në serinë e farsës elektorale, unë kam sjellë këtu para jush dokumente në video, të cilat faktojnë në mënyrë të pamohueshme batërdinë elektorale që ndodhi në Elbasan, rolin prej kriminelësh elektorale të hapur të operatorëve socialistë, kontrollin e tyre të plotë mbi votën e qytetarëve, votimin e tyre për qytetarët, format e votimit jashtë të gjitha standardeve ligjore dhe kushtetuese të vendit dhe ndërkombëtare.
Atë çka tregojnë kamerat në Elbasan, ajo është shëmbëlltyra e shëmtuar e këtyre zgjedhjeve”, tha Berisha.
Më tej, ai ftoi shqiptarët për mosbindje civile ndaj qeverisë. “Unë ftoj shqiptarët të ndjekin këto fakte dhe dokumente të një rëndësie jetike, për të marrë vendimin, ndoshta më të rëndësishëm të jetës së tyre, të përballemi me mosbindje civile me këtë regjim që nuk na lejon të votojmë, që kontrollon votën, manipulon votën tonë dhe është i aftë të shkelë çdo ligj, çdo vendim, në mënyrë që të grabisë mandatet e pamerituara”, tha Berisha.