Aktualitet Trendi i ri në Dhërmi, të huajt shpërndajnë drogë në lokalet e...

Trendi i ri në Dhërmi, të huajt shpërndajnë drogë në lokalet e natës, mes tyre dhe femra

Duket se është bërë trend shpërndarja e lëndëve narkotike në lokalet e natës në jug të vendit (kryesisht në Dhërmi) nga shtetas të huaj.

Brenda pak ditësh, Policia e Shtetit ka goditur të tretin rast, ku ka arrestuar 5 shtetas të huaj për shpërndarjen e drogave të forta në zonën e jugut.

Në kuadër të operacionit “Parts 7” u arrestuan 5 shtetasit të cilëve iu sekuestruan 160 doza të lëndës narkotike GHB dhe doza të drogave të tjera të forta MDMA, Poppers, ekstazi, kokainë dhe kanabis.

Të arrestuarit janë T. G., 28 vjeçe, shtetase spanjolle, C. M., 28 vjeç, shtetas brazilian, Y. I., 32 vjeçe, shtetase argjentinase, R. D., 40 vjeç, shtetas argjentinas dhe N. M., 27 vjeç, shtetas italian.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 5 shtetas kishin ardhur si turistë në Dhërmi dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike në doza, në këtë zonë bregdetare, kryesisht për turistët e tjerë, në lokalet e natës dhe në aktivitetet e ndryshme të argëtimit.