Aleatët e Ukrainës deklarojnë se është ende herët të thuhet se çfarë drejtimi po merr kundërofensiva ukrainase, që ka vetëm pak ditë që ka nisur.
Pavarësisht mesazheve inkurajuese, frika për humbje nga të dyja palët është e madhe.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken është i qartë në qëndrimin e tij.
“Suksesi i Ukrainës në këtë kundërofensivë do sjellë dy gjëra: do të forcojë pozicionin e saj në tryezën e negociatave dhe mund të ketë efektin që ta detyrojë presidentin Putin të fokusohet në dialog dhe t’i japë fund luftës që nisi”, tha Blinken.
Ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ka pritur në Paris liderët e Gjermanisë dhe Polonisë, thotë se nisma e palës ukrainase mund të zgjasë me javë të tëra.
“Kundërofensiva është përgatitur me kujdes nga një ushtri liderësh që kanë treguar vendosmërinë, guximin dhe aftësitë e tyre taktike dhe organizative për më shumë se një vit. Ndaj mendoj se kjo ofensivë do të kërkojë javë, në mos muaj”, u shpreh Macron.
Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se kundërofensiva e Ukrainës po dështon, duke pretenduar se trupat e Kievit kanë humbur 25 deri në 30 për qind të automjeteve ushtarake të furnizuara nga vendet perëndimore që nga fillimi i përpjekjeve të tyre për të rimarrë tokat e pushtuara nga forcat e Moskës.
Putin ka fajësuar Ukrainën për shkatërrimin e digës së Nova Kakhovka, për të cilën ai tha se ishte shkaktuar nga bombardimi i strukturës nga Kievi me sistemet raketore HIMARS të prodhuara nga SHBA.
Gjithashtu, Putin ka bërë të ditur se asnjë ushtar i rekrutuar nuk do të dërgohet shtesë në zonën e “operacionit special ushtarak” siç e quan ai, transmeton Al Jazeera.
“Ne kemi rekrutuar më shumë se 150,000 luftëtarë me kontratë, 156,000 vullnetarë. Ministria e Mbrojtjes thotë se nuk ka nevojë për mobilizim shtesë. Njerëzit po ngrihen me vullnetin e tyre për të mbrojtur Atdheun”, theksoi Putin ndërsa vuri në dukje se Perëndimi po shkel disa akte ndërkombëtare duke vazhduar furnizimin me armë Ukrainës.