Aktualitet Dy vrasjet e Elbasanit me porosi të Erjon Alibejt, SPAK kërkon 42...

Dy vrasjet e Elbasanit me porosi të Erjon Alibejt, SPAK kërkon 42 vjet burg për Xhuliano Hoxhën dhe Euglen Halilin

Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjykatës të deklarojë fajtor Xhuliano Hoxhën dhe Euglen Halilin për vrasjet e Emiliano Ramazanit e Rigers Runajt, korrikun e vitit 2020 në Elbasan. Për Hoxhën SPAK kërkoi një dënim me 30 vjet burg, ndërsa për Halilajn, i penduar i drejtësisë në proces, një dënim me 12 vjet heqje lirie. I pandehur në të njëjtën çështje ishte edhe Erion Alibej, por SPAK tërhoqi aktet e dosjes ndaj tij tetorin e vitit të shkuar, për hetim të mëtejshëm, pasi përfshirja e tij në krime u përmend nga të penduarit e tjerë të drejtësisë, Nuredin Dumani e Henrik Hoxhaj.

Pretenca e SPAK për vrasjen e Emiliano Ramazanit me armë zjarri pranë banesës së tij dhe të Rigers Runajt me 27 thika pranë varrezave të qytetit të Elbasanit, ekspozonte edhe përplasjet mes grupimeve kriminale në këtë qytet.

Referuar deklarimeve të të penduarit Halili, vrasja e Ramazanit dhe Runajt është bërë me porosi të Erion Alibeajt. Ky i fundit pretendonte se kishte pasur rolin e vëzhguesit në “masakrën e Bradasheshit” të dhjetorit 2018, ku u vra vëllai dhe xhaxhai i tij, si edhe një shtetas turk. Halili ka shpjeguar se nuk e ka takuar asnjëherë Erjon Alibejn dhe se kontaktet më të i mbante Xhuliano Hoxha.

Sipas prokurorisë, në vrasjen e Ramazanit të pandehurit Hoxha dhe Halilaj kanë pasur vetëm rolin e vëzhguesit të lëvizjeve të viktimës dhe se armët i kanë shkrehur të tjerë persona, që ata nuk i njihnin.  Për vrasjen e Rigers Runajt atyre iu ishte lënë ultimatum nga Alibej për ta ekzekutuar brenda një jave. Duke pasur njohje të mëparshme dhe dijeni se ai konsumonte kanabis, ata e kanë takuar dhe kanë shkuar pranë varrezave të qytetit për të kosnumuar drogë, ku më pas Halilaj e ka masakruar me thikë.

Gjatë leximit të pretencës, i pranishëm në sallë ishte dhe babai i viktimës Runaj, i cili kërkoi drejtësi nga gjykata. “Dua që këta dy çunat të marrin dënimin që meritojnë, asnjë ditë më shumë”, u shpreh ai.