Është thjesht java e Partizanit. Të kuqtë u gëzuan trefish në këtë javë të 21-të të Superiores, fillimisht për suksesin 2-0 me Kastriotin, më pas për humbjen e Kukësit 0-1 ndaj Tiranës dhe në fund për barazimin 0-0 të Teutës në “Niko Dovana” me Kamzën.
Tashmë diferenca mes të kuqve dhe ndjekësve më të afërt është respektivisht 8 pikë me Kukësin dhe 10 me Teutën, që ndaj ekipit të Ernest Gjokës regjistroi barazimin e katërt radhës.
Me një llogari të thjeshtë nga 12 pikë të mundshme “Djemtë e Detit” në katër javët e fundit kanë grumbulluar vetëm 4 pikë.
Për t’u fokusuar të kronika e ndeshjes së “Niko Dovanës”, skuadra durrsake u “tradhtua” nga futbollisti ndoshta më i vlerësuar deri në këtë pjesë të kampionatit, Sherif Kallaku, që nuk arriti të shndërronte në gol një 11-metërsh të fituar në minutën e 19-të nga Gerhard Progni, por e kontestuar me forcë nga Kamza.
Një pikë me vlerë për ekipin e Gjokës që lë në vendin e fundit në të njëjtën kuotë pikësh, 16, por me golaverazh më të mirë, Kastriotit.