Eva Buzo ka ndërprerë sfidën e notit pas gjendjes jo të mirë shëndetësore. Mësohet se ajo është pickuar nga kandili dhe ka hasur vështirësi në të folur për shkak të kripës.
Ekipi që monitoronte gjendjen shëndetësore të avokates, ka vendosur që tërheqja e saj në momentet e fundit të sfidës ishte tepër e nevojshme.
Sakaq, pas 28 orësh në det, Buzo është dërguar në spital dhe aktualisht po merr veten në reanimacion nga hipotermia.
Ajo ka pasur vështirësi në orientim dhe vetëdije, pas më shumë se 28 orësh not në det të hapur dhe pa ndërprerje.
Buzo u nis ditën e enjte të 22 qershorit nga Komuna e Otrantos dhe përgjatë gjithë kësaj kohe ajo ka qenë duke notuar, e shoqëruar nga dy varka, me të cilat nuk lejohej të kishte kontakt përveç faktit kur merr ushqim apo ujë.
Megjithatë, sipas raportimeve, ajo ka pasur disa probleme shëndetësore gjatë notimit.
I është dashur të përballej me disa rryma që i ngadalësuan ritmin dhe një mjegull e dendur i shkaktoi probleme në frymëmarrje dhe fyt, e ndikuar edhe nga kripa e detit.
Buzo është avokate në Australi dhe e angazhuar me problematika sociale, në mbrojtje të të drejtave të njeriut.
Ajo ka përvojë pune në Afrikën Lindore, Azinë Jugore dhe Australi, për organizata të ndryshme duke përfshirë World Vision dhe Save the Children.
Megjithëse nuk e përmbylli dot rrugëtimin, Eva Buzo ia doli me sukses të rezistonte 28 orë në det të hapur, duke u kthyer në të parën grua shqiptare që përshkon me not një distancë të konsiderueshme.
Idenë për të ndërmarrë këtë iniciativë, Eva e ka patur gjatë periudhës së izolimit nga pandemia, kur duke kërkuar në Google Maps disa vende të mundshme për të notuar, u ndal në distancën midis Italisë dhe Shqipërisë.