Kryesore KQZ cakton datën: Zgjedhjet për Rrogozhinën do të mbahen më 23 korrik

KQZ cakton datën: Zgjedhjet për Rrogozhinën do të mbahen më 23 korrik

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që zgjedhjet për kryetarin e ri të Bashkisë Rrogozhinë të përsëriten më 23 korrik 2023. Në garë do të jenë sërish Edison Memolla i Partisë Socialiste dhe Shkëlqim Hoxha i koalicionit opozitar ‘Bashkë Fitojmë’.

Ky vendim u dha pasi Kolegji Zgjedhor urdhëroi përsëritjen e zgjedhjeve lokale në Rrogozhinë duke shpallur të pavlefshëm rezultatin e votimeve të 14 majit.

KQZ ka dhënë edhe miratimin e formatit dhe specifikimeve të vulës së Komisionit të Qendrës së Votimit, vulës së kryetarit të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe vulës rezervë të Komisionit të Qendrës së Votimit, të KZAZ-së nr. 43, Bashkia Rrogozhinë, që do të përdoren në datën 23 korrik 2023, për përsëritjen e zgjedhjeve për Kryetar Bashkie.

Po ashtu në seancën e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha mandatin kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, i propozuar nga PS pasi Kolegji Zgjedhor dhe KAS rrëzuan ankimimet e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ dhe kandidati Lefter Maliqi.