Politika Pr.ligji për studentët e Mjekësisë, Balla: I bën mirë interesit publik

Pr.ligji për studentët e Mjekësisë, Balla: I bën mirë interesit publik

Sot në Kuvend po diskutohet për kalimin në seancë plenare me procedurë të përshpejtuar projektligji për studentët e Mjekësisë.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, është shprehur se ky vendim i bën mirë interesit publik.

Gjatë fjalës së tij, Balla, thotë se projektligji për punësimin e studentëve të Mjekësisë që kryejnë studimet në universitetin publik të vendit tonë, të punojnë 5 vite në Shqipëri dhe më pas të marrin diplomën, do të diskutohet përgjatë 2 javëve në institucionet përkatëse.

Taulant Balla: Sot nuk miratohet projektligji, hyn në procedurë parlamentare dhe parlamenti parasheh gjatë diskutimit në 2 komisionet, dhe do të planifikojnë që gjatë punës 2-javore të dëgjohen të gjithë. Ne këtu jemi deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, jemi betuar se interesi publik kombëtar është gjëja më e rëndësishme për ne.

Janë 1200 mjekë dhe mjeke shqiptarë të cilët kanë përfunduar studimet në Shqipëri dhe sot nuk jua ofrojnë këto shërbim qytetarëve shqiptarë. Ky është një investim publik dhe ne duam që të kemi mjekë dhe mjeke në çdo cep të territorit dhe të mos mungojnë mjekët, për këtë na kanë sjellë shqiptarët këtu. Ju i shikoni njerëzit si vota dhe sa herë del një pakënaqësi, ju jeni të gatshëm të merrni krahun e kundërt. Mos harroni se jeni deputetë të Shqipërisë. Ky profesion merret përmes një investimi publik dhe mos harroni që kemi 1500 mjekë dhe mjeke që ofrojnë shërbim shëndetësor dhe na mbetet ende punë përpara për të rritur mjekë në vend dhe për ta çuar në nivelin e rajonit, 2,6 mjekë për 1 mijë banorë dhe në emër të grupit parlamentar, e përshëndes vendimin e djeshëm të Qeverisë Shqiptare për ta përfshirë këtë politikë të rëndësishme. 

Na duhen mekanizma për të motivuar mjekët dhe për të plotësuar nevojat e mjekëve. Studentëve aktualë do të ofrohet mundësia për të nënshkruar marrëveshje për të punuar në profesionin e mjekëve në Shqipëri. Ata që nuk pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen, është shumë e thjeshtë, do të paguajnë detyrimin sepse është investim publik dhe duhet t’i shërbejnë qytetarëve shqiptarë.