Kryesore Bill Gates dëshiron “të errësojë” diellin për të luftuar ndryshimet klimatike (me...

Bill Gates dëshiron “të errësojë” diellin për të luftuar ndryshimet klimatike (me ok e Shtëpisë së Bardhë)

Programi i inxhinierisë diellore që po zhvillohet nga universiteti i Harvardit është i financuar nga Bill Gates. Tani një raport i Shtëpisë së Bardhë ka dhënë dritën jeshilen për studimin shkencor, mbi të cilin debatohet prej vitesh.

Bëhet fjalë për një projekt shkencor të diskutueshëm, i cili quhet gjeo-inxhinieria diellore. Projekti, në thelb, studion armën më të fundit kundër ndryshimeve klimatike.

Ndër financuesit më të shquar të tij është Bill Gates. Prej vitesh ai ka shpenzuar para dhe kohë për të kuptuar se si të kundërshtojë efektet e ndikimit të njeriut në mjedis.

Së fundmi edhe Shtëpia e Bardhë ka dhënë një pëlqim të ndrojtur për të kryer këtë eksperiment.

Në një artikull të Politico-s thuhet se administrata e presidentit amerikan Joe Biden është e hapur për të studiuar mundësinë që ndryshimi i rrezeve të diellit mund të kontribuojë në ftohjen e planetit.

Nuk mungon skepticizmi apo kujdesi në trajtimin e një teme që tashmë është e diskutueshme. Në të njëjtin artikull shkruhet se “nuk ka plane për të krijuar një program kërkimor global”.

Në praktikë, ky projekt, i cili po kryhet nga një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Harvard-it, planifikon të modifikojë rrezatimin diellor.

Ka shumë ndarje midis shkencëtarëve për këtë studim të njohur si Eksperimenti i Perturbimit të Kontrolluar Stratosferik (SCoPEx).

Një teknikë e quajtur SRM (Menaxhimi i rrezatimit diellor) përdoret për të bllokuar reflektimin e rrezeve të diellit përpara se ato të arrijnë në atmosferën e tokës.

Hipoteza është se kjo mund të kontribuojë në ngadalësimin e ngrohjes globale.

Dhe për ta bërë këtë, shkencëtarët duan të zhvillojnë një formë SRM-je të njohur si Injeksioni Stratosferik Aerosol.

Siç thuhet në një dokument nga Grupi Etc, një shoqatë që monitoron ndikimin e teknologjive të reja në biodiversitet, “planifikon të spërkasë një tretësirë ​​uji, gipsi dhe grimcash squfuri në atmosferë përmes një balone që fluturon në lartësi të madhe”.

Kjo substancë duhet të gjenerojë re që do të bllokojnë rrezet e diellit në atmosferën e sipërme.

Por pjesa më e diskutueshme e gjeo-inxhinierisë diellore qëndron në faktin se efektet anësore të mundshme të një veprimi të këtij lloji në mjedis nuk dihen ende.

Sipas shkencëtarëve të Harvard-it, të paktën në fazën eksperimentale, “sasitë e lëshuara nga projekti do të jenë shumë të vogla në krahasim me lëshimet e tjera rutinë të materialit në stratosferë nga avionët, raketat ose fluturimet rutinë me balona”.

Por një pikë e rëndësishme është se ekziston vetëdija për rreziqet.

Çka SCoPEx po propozon është “të reduktojë pasigurinë për çështje specifike shkencore duke kryer matje sasiore prej mikrofizikës së aerosolit dhe kimisë atmosferike të nevojshme për të vlerësuar rreziqet dhe përfitimet e gjeo-inxhinierisë diellore në modelet atmosferike në shkallë të gjerë”.

Pra, qëllimi është të studiohet potenciali – pozitiv dhe negativ – i kësaj zgjidhjeje ndaj ndryshimeve klimatike në mënyrë që të kuptohet se si përdoret nëse do të jetë i nevojshëm më vonë.

Protagonisti i vërtetë i SCoPEx quhet David Keith.

Ai dhe inxhinieri i Harvard-it James Anderson ishin pionierë të gjeo-inxhinierisë diellore.

Në vitin 2012 ata kishin planifikuar eksperimentin e parë, me një balonë që do të lëshonte grimca në atmosferë rreth 24 mijë metra mbi Fort Sumner, New Mexico.

Eksperimenti u anulua, për hidhërimin e madh të Keith, i cili nuk u dorëzua dhe në vitin 2017 kontribuoi në hapjen e një programi kërkimor në Universitetin e Harvard-it, mbështetur nga disa miliarderë dhe fondacione private, përfshirë Bill Gates.

Ajo që mungon është mbështetja politike, e nevojshme që studimi të pranohet.

“Një program kërkimor mbi implikimet shkencore dhe sociale të modifikimit të rrezatimit diellor do të lejonte marrjen e vendimeve më të informuara në lidhje me rreziqet dhe përfitimet e mundshme si një komponent i politikës klimatike”, thuhet në dokumentin e administratës Biden.

“SRM ofron potencialin për të ftohur planetin në mënyrë të konsiderueshme në një hark kohor prej vetëm disa vitesh”, vijon dokumenti.

Në anën tjetër të Atlantikut, edhe institucionet evropiane janë të vëmendshme ndaj kësaj çështjeje.

Kanë shprehur gatishmërinë për të nisur një debat ndërkombëtar për të kuptuar se si shkenca mund të shfrytëzohet për të kufizuar ngrohjen e shkaktuar nga dielli.

“Udhëhequr nga parimi paraprak, BE-ja do të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për të vlerësuar në mënyrë gjithëpërfshirëse rreziqet dhe pasiguritë e veprimit klimatik, duke përfshirë modifikimin e rrezatimit diellor”, thuhet në një dokument të nënshkruar nga Parlamenti dhe Këshilli Europian.

Dhe se “do të nxisë diskutime mbi një kuadër të mundshëm ndërkombëtar për qeverisjen e tij, duke përfshirë aspektet e lidhura me kërkimin”./Corriere della Sera