Ekonomi Gazifikimi i Shqipërisë, Aliyev: Në fund të vitit gati studimi i fizibilitetit,...

Gazifikimi i Shqipërisë, Aliyev: Në fund të vitit gati studimi i fizibilitetit, më pas nis menjëherë investimi

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev deklaroi sot se, në fund të vitit do të përfundojë studimi i fizibilitetit për projektin e gazifikimit të Shqipërisë dhe më pas do të fillojë menjëherë investimi në Shqipëri për të ndërtuar një rrjet të shpërndarjes së gazit.

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, në Baku, me Bajram Begaj, Aliyev u shpreh i sigurt se, kjo vizitë do të forcojë marrëdhëniet dypalëshe midis vendeve tona.

“Kjo vizitë tregon sesa të ngushta janë marrëdhëniet tona dhe sa aktiv është dialogu ynë. Kemi krijuar një dinamikë mjaft të veçantë në lidhjet dypalëshe të bazuar në miqësi dhe mbështetje të ndërsjellët. Përkrahim njëri-tjetrin si në Kombet e Bashkuara edhe në bashkëpunime të tjera”, tha ai.

Aliyev u shpreh mirënjohës për përkrahjen e Shqipërisë në organizatat ku Azerbajxhani nuk është i pranishëm.

Gjithashtu, Aliyev shtoi se, “kemi diskutuar sot për të ardhmen, marrëdhëniet politike midis dy vendeve, veprimtarinë e përbashkët në organizatat ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë, sigurisht në axhendën tonë kishte çështje që kanë të bëjnë me ekonominë, tregtinë. Gjithashtu ripërsërita që investitorët e Azerbajxhanit janë të gatshëm që të konsiderojnë në mënyrë serioze projektet në Shqipëri, qoftë në turizëm, në bujqësi, ose në çdo fushë tjetër. Mendoj që në vitet e ardhshme do të kemi informacion më tepër në lidhje me këto që do të hapë dhe një faqe të re në marrëdhëniet tona“.

Por, nënvizoi ai, “deri tani faktori kryesor i bashkëpunimit kishte të bënte me sektorin e energjisë, që është e rëndësishme, jo vetëm për vendet tona, por edhe për një numër të madh vendesh, në veçanti TAP, i cili është korridori gazsjellës që kalon nëpër Shqipëri, tani është burim i sigurisë së energjisë”.

“Duke marrë parasysh punën aktive të Azerbajxhanit në Bashkimin Europian, në çështje të furnizimit me gaz dhe në dokumentet që janë nënshkruar midis BE-së dhe Azerbajxhanit, në partneritetin strategjik për fushën e energjisë, këto të gjitha përbëjnë faktorë të rëndësishëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, sepse siguria e energjisë nëpër vendet europiane jepet nëpërmjet korridoreve të gazit. Volumet e tregtimit të gazit po rriten dhe prodhimi dhe dërgimi i gazit gjithashtu”, theksoi Aliyev.

Ai foli edhe për projektin e gazifikimit të Shqipërisë,

“Një pikë tjetër e diskutimit gjatë komunikimeve tona është projekti i gazifikimit të Shqipërisë dhe është përzgjedhur një projekt-pilot. Gjithçka po shkon sipas planifikimit dhe në fund të vitit do të kemi një studim fizibiliteti në lidhje me këtë dhe mendoj se pas kësaj shpresoj do të fillojmë menjëherë investimin në Shqipëri për të ndërtuar një rrjet të shpërndarjes së gazit”, tha Aliyev.