Aktualitet Çiften në krah, drogën në kuaj! Policia fut “në grackë” tre persona...

Çiften në krah, drogën në kuaj! Policia fut “në grackë” tre persona në Bulqizë

Tre persona janë arrestuar në Bulqizë për kultivim të lëndëve narkotike. Policia ka njoftuar se të tre këta persona kanë mbjellë kanabis në një miniserë. Më pas kanë tentuar t’i transportojnë në pyll me qëllim që t’i mbillnin në tokë.

“Konkretisht janë ndaluar shtetasit: A. C., 52 vjeç, banues në Peshkopi; A. C., 30 vjeç dhe E. L., 34 vjeç, të dy banues në fshatin Viçisht, Bulqizë. Nga hetimi proaktiv rezultoi se këta shtetas kishin kultivuar në një miniserë, dhjetra bimë narkotike, të cilat më pas kanë tentuar t’i transportojnë më kafshë pune, në pyll, me qëllim mbjelljen e tyre në tokë”, njoftoi policia.

Uniformat blu i kanë pasur në vëzhgim për dy muaj kultivuesit sapo kanë marrë informacion për aktivitetin e tyre të paligjshëm. Madje i kanë filmuar teksa ata transportonin lëndën narkotike me kuaj. Ata ishin edhe të armatosur.

Policia ka sekuestruar dy armë gjahu pa leje. Uniformat blu shprehen se po vijojnë punën për kapjen e të tjerë personave që dyshohet se janë implikuar në këtë veprimtari kriminale.