Tashmë është zyrtare: Gianluigi Buffon tërhiqet nga futbolli i luajtur. Ish-portieri tashmë 45-vjeçar njoftoi përfundimin e karrierës së tij profesionale me një video emocionuese të postuar në Instagram, shoqëruar me një mesazh konciz, por të drejtpërdrejtë “social”: “Mbaron këtu. Ti më ke dhënë gjithçka. Edhe unë të kam dhënë gjithçka. Ne fituam së bashku”.
Pra, Gigi Buffon thotë mjaft. Pas reflektimeve të gjata, “Supermeni” ndalet në moshën 45-vjeçare. Mbetet për t’u kuptuar cila do të jetë e ardhmja e tij, teksa ka disa opsione në tryezë.
Në këtë mënyrë, “Supermeni” mbyll një cikël perfekt. Ai e filloi me Parmën në nëntor të vitit 1995 dhe e përfundoi po me Parmën në verën 2023, pas 28 vitesh karrierë.
Një karrierë legjendare, kryesisht e kaluar në mbrojtje të portës së Juventusit (2001-2021, përveç intermexos te PSG më 2018-2019), me të cilin fitoi 10 tituj të Serie A (plus një kampionat të Serie B), 7 Superkupa të Italisë, 5 Kupa të Italisë (të cilave iu duhet shtuar edhe ajo e fituar me Parmën më 1998-1999).
Dhe pastaj, sigurisht, shkëlqen fuqishëm në palmaresin e tij Botërori i vitit 2006, një xhevahir i vërtetë që përfaqëson kulmin e karrierës së “Supermenit”. Pengu i tij i vetëm është mungesa e Champions League në listën e gjatë të trofeve të fituar.
Në të ardhmen e Gigi, megjithatë, nuk ka një stol në park… Ai nuk do të jetë kurrsesi “pensionist” si gjithë të tjerët, pasi ka ende dëshirë të madhe për të bërë dhe për të dhënë. Atij i kanë ardhur disa propozime në periudhën e fundit, mes tyre edhe nga Parma, por më përmbajtësja dhe më tërheqëse duket se është posti i kreut të delegacionit të kombëtares axurre; i njëjti rol që ka pasur edhe Gianluca Vialli.
Presidenti i FIGC, Gravina, e ka identifikuar Buffon si njeriun e duhur. “Supermenit” do t’i duhet pak kohë para se të japë një përgjigje. Kombëtarja ka qenë gjithmonë në zemrën e tij dhe në dritën e 176 paraqitjeve zyrtare për blutë (më shumë se gjithkush tjetër ndonjëherë) është çështje kohë të kuptojmë se cili duhet të jetë angazhimi në vazhdim.
Ndërkohë, Gigi do të ketë mundësinë të shijojë kohën me familjen, të shohë fëmijët e tij të rriten, të ndjekë të riun Louis Thomas, që këtë vit si sulmues do të performojë me Piza. Dhe më pas, një dëshirë tjetër që më në fund do të mund ta realizojë, është të mësojë mirë anglishten dhe të kuptojë se cila është dinamika e një menaxheri në futbollin e sotëm.
Pas pushimeve, duke ditur këmbënguljen dhe qëndrueshmërinë e tij, mund të jeni të sigurt se Buffon do të jetë në punë për të ndërtuar një karrierë të re.