Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka reaguar pas lajmit se u arrestuan 3 ushtarakë në Zall Herr pasi kishin kultivuar kanabis në repart.
Peleshi njofton se operacioni është kryer pas bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe asaj Ushtarake. Ushtarët e kishin kultivuar drogën në një zonë të pyllëzuar, brenda zonës ushtarake të Zall Herrit. Peleshi bëri me dije se janë pezulluar nga detyra të gjithë personat përgjegjës.
“Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Ushtarake, bëri të mundur evidentimin dhe më pas asgjësimin e 125 bimëve kanabis, të cilat ishin kultivuar në një zonë të pyllëzuar, në territorin e zonës ushtarake të Zall Herrit.
Menjëherë janë pezulluar nga detyra të gjithë personat përgjegjës. Dënojmë me forcë çdo aktivitet të kundërligjshëm. Inkurajojmë organet ligjzbatuese të bëjnë detyrën në çdo rast”, thotë Peleshi.
Në operacionin në Zall Herr janë proceduar edhe 4 ushtarë të tjerë. Sipas policisë me veprimet dhe mosveprimet e tyre ata kanë lejuar kultivimin e kanabisit.