Aktualitet Plani për vrasje në varrimin e Indrit Rrajës, mobilizim me mitraloza e...

Plani për vrasje në varrimin e Indrit Rrajës, mobilizim me mitraloza e kallashë për ekzekutimin Licit, Dorit e Tafilit

Behar Bajri, Ibrahim Lici, Asmer Bilali, Ardit Hasanbegaj dhe Pëllumb Gjoka

Një mobilizim i përgjithshëm dhe i menjëhershëm ka ndodhur në vitin 2020, ku pas ceremonisë së varrimit të Indrit Rrajës në Fushë-Krujë, do vritej Ibrahim Lici, Dorian Duli dhe Genc Tafilit.

Një arab për vrasjen e Musabelliut, Bajri: Arabi, kry punë e me fytyrë. Gjoka: Në polici, kemi shefin e Krimit të Organizuar

Për vrasjen, në aksion do hidheshin Astmer Bilali, Prekë Kodra, Aleksi “i Druve”, dhe persona të tjerë.

Në dijeni të planit është vënë dhe Pëllumb Gjoka.

Kapja e Ibrahim Licit, ishte kthyer një detyrë e posaçme për grupin, pasi jo vetëm që i trembeshin jashtëzakonisht shumë, por vrasjen e tij e kërkonte me çdo kusht shoku i fëmijërisë së tij, Astmer Bilali.

Në një bisedë që ndodhet në dosjen “Metamorfoza” të SPAK-ut, rezulton se Astmer Bilali i thotë Behar Bajrit që: “Ibrahim Lici, duhet me u heq se s’bën…”

Ndërsa Bajri i thotë që: “Ose hiq Dor Dulin, ose ri vetëm atëherë”.

Grupi bën ç’mos që të kapi vendndodhjen e Ibrahim Licit, duke gjetur numra, çuar policisë dhe kjo e fundit i vendos në përgjim për llogari të Pëllumb Gjokës.

Në një rast Astmer Bilali ka arritur të sigurojë një numër telefonik, i cili dyshohet që përdorej nga Ibrahim Lici dhe ja ka dhënë Behar Brajoviq.

Ky i fundit këtë numër telefonik ia ka dhënë shtetasit Pëllumb Gjoka me qëllim që t’ia japë shefit të vrasjeve, Ardrit Hasanbegaj.

Ardrit Hasanbegaj në periudhën që ka marrë numrin telefonik nga Pëllumb Gjoka ka qenë me leje, konkretisht në plazh, dhe i është shprehur Pëllumbit që: “Sapo të kthehem nga leja do e çoj për ta vënë në përgjim dhe do të jetë ai pikë kontakti me zyrën e përgjimit me qëllim sigurimin e të dhënave në lidhje me vendndodhjet e Ibrahim Lici”.

Por vrasja e Ibrahim Licit tashmë ishte planifikuar të kryhej tek varrimi i Indrit Rrajës.

Ibrahimi, Dor Duli dhe Genc Tafili, ishin zbuluar se ndodheshin në varrim.

Madje Behar Bajri dinte dhe rrobat e trupit të tyre. Por një fakt që solli dështimin e planit për të bërë goditjen ishte makina me të cilin udhëtonin.

Behar Bajri, nuk dinte llojin dhe tipin e makinës, pasi i druhej se tre personat lëviznin me makinë të blinduar.

Sipas dosjes franceze, Behar Brajoviq me qëllim realizimin e vrasjes së Dorian Dulit dyshohet se ka bashkëpunuar edhe me shtetasin Prekë Kodra.

Ky i fundit dyshohet se ka kontraktuar disa persona ende të pa identifikuar me qëllim vrasjen e Dorian Dulit vetëm në territorin e Shkodrës, ose të Lezhës, por jo jashtë këtij territori, pasi nuk operojnë dot jashtë kësaj zone.

Njëkohësisht, shtetasi Prekë Kodra shprehet që nëse nuk do të funksionojë kjo mënyrë, ka në dorë një mënyrë tjetër, e cila është e sigurt që do të funksionojë.

Behar Brajoviq i ka premtuar shtetasit Prekë Kodra shuma parash të konsiderueshme me qëllim sigurimin e informacioneve në lidhje me vendndodhjen e shtetasit Dorian Duli.

Për këtë arsye, shtetasi Prekë Kodra ka bashkëpunuar me shtetasin Aleks Ndreka, lidhje e tij e ngushtë me qëllim sigurimin e informacioneve në lidhje me vendndodhjen e Dorian Duli.

Aleks Ndreka duke pasur njohje personale me Dorian Dulin është angazhuar duke njoftuar Prekë Kodrën për vendet që Dorian Duli frekuenton dhe momente kur ai shkon dhe takohet me Aleks Ndreka.

Më datë 21 gusht 2020 shtetasi Aleks Ndreka informon shtetasin Prekë Kodra që: “Dorian Duli do të jetë nesër në varrimin” e shtetasit Indrit Rraja.

Menjëherë mbas kësaj Preka informon shtetasin Behar Brajoviq dhe i thotë që të bëhet gati pasi Dorian Duli do të jetë nesër në varrimin e shtetasit Indrit Rraja.

Behar Brajoviq kontakton me shtetasin Astmer Bilali dhe i kërkon që të bëhet gati për realizimin e vrasjes, pasi: “Nesër në varrimin e Indrit Rraja do të jetë Dorian Duli dhe Ibrahim Lici”.

Behari i tregon që: “Kam dy automjete gati, dy mitralozë të lehtë dhe dy kallashë”.

Dhe Astmeri i shprehet i gatshëm për të marrë pjesë në këtë organizim.

Behar Brajoviq njofton edhe shtetasin Pëllumb Gjoka në lidhje me planin që po bën për vrasjen e Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit në ceremoninë e varrimit të shtetasit Indrit Rraja.

Më datë 22 gusht 2020 Aleks Ndreka merr pjesë në varrim dhe i dërgon informacion shtetasit Prekë Kodra në lidhje me faktin që Dorian Duli ndodhet në ceremoninë e varrimit bashkë me shtetasit Ibrahim Lici dhe Genc Tafili.

Aleks Ndreka, gjithashtu jep informacion për veshjet që ka Dorian Duli, por nuk ka arritur të fiksojë automjetin që ai ka në përdorim.

Behar Brajoviq përgatitet me qëllim realizmin e vrasjes kur shtetasit Dorian Duli dhe Ibrahim Lici të jenë duke u larguar nga ceremonia e varrimit por për shkak se nuk është i sigurtë për automjetin me të cilin po udhëtojnë nuk e realizon vrasjen.

Ai shprehet që ishin të gjithë gati për të realizuar vrasjen, por nuk ishte i sigurt për automjetin dhe për këtë arsye e ka anuluar me qëllim që të mos vrasë njerëz të tjerë.

Në vazhdimësi Aleks Ndreka dhe Prekë Kodra shprehen që ato do të marrin pjesë edhe në të 7-at e ceremonisë së varrimit dhe aty mund të jetë një tjetër rast i mirë për realizmin e vrasjes.

Aleks Ndreka i tregon Prekë Kodra që shtetasi Dorian Duli i ka kërkuar që t’i gjejë një motor për një skaf dhe se Aleksi do t’ja sigurojë dhe do t’ia montojë.

Prekë Kodra i sugjeron që t’i vendosim një GPS tek motori, por Aleks Ndreka i shprehet që është më e thjeshtë që t’i afrohen kur të jenë të veshur me rroba të policisë kufitare dhe të realizojnë vrasjen.

Po ashtu në bisedën e datës 14 shkurt 2021 midis Bardhyl Mavraj dhe Nuredin Dumani, evidentohet se Bardhyl Mavraj i ka kërkuar Nuredin Dumanit për të vrarë një person që i referohen me emrin “Dori” në këmbim të pagesës.

Nuredin Dumani me këtë kërkesë, komunikon me dikë tjetër për të caktuar çmimin dhe se pagesa do jetë vetëm për një person, por do duhen të vriten dy persona edhe një tjetër i quajtur “Tafili”.

Sa më sipër ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit Behar Brajoviq, Pëllumb Gjoka, Bardhyl Mavraj, Nuredin Dumani, Prekë Kodra, Astmer Bilali, Aleks Ndreka dhe Ardrit Hasanbegaj, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal./Ora News