Gjashtë persona janë arrestuar në lidhje me vrasjen e kandidatit për president të Ekuadorit, Fernando Villavicencio. Ata janë të gjithë me kombësi kolumbiane, përfshirë edhe të dyshuarin e shtatë i cili humbi jetën në shkëmbimin e zjarrit me policinë.
Villavicencio kishte thënë më parë se ai ishte subjekt i kërcënimeve me vdekje, përfshirë bandën Los Choneros.
Kjo bandë është e lidhur me kartelin Sinaloa të Meksikës. Sakaq, qeveria e Ekuadorit mësohet se do t’i kërkojë ndihmë FBI-së amerikane për këtë ngjarje të rëndë.
Prokuroria e Përgjithshme e Shtetit ka njoftuar se 6 persona janë arrestuar gjatë natës për pjesëmarrjen e tyre të dyshuar në vrasje, pasi kanë kryer disa kontrolle në dy lagje të kryeqytetit ekuadorian.
Vrasja e Villavicencio ka tronditur vendin dhe mund të shkaktojë një llogari me dhunën në rritje të drogës, si në Ekuador, ashtu edhe në Amerikën Latine më gjerësisht. Midis 2020-ës dhe 2022-shit, shkalla e vrasjeve në Ekuador u dyfishua. Dhe të shtënat me armë zjarri dhe sulmet me bomba janë bërë më të zakonshme në disa qytete të mëdha.
Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ shkruan se Villavicencio ishte një nga figurat më të profilit të Ekuadorit që ishte vënë në shënjestër të dhunës fatale, megjithëse vdekja e tij pason atë të një sulmi tjetër në korrik, që vrau kryebashkiakun e Mantës, Agustin Intriago. Në shkurt po ashtu shënjestër ishte një kandidat për kryebashkiak të Puerto Lopez. Vdekja e tyre thekson se sa e zakonshme është bërë një dhunë e tillë në Ekuador, që është shfaqur si fusha e fundit e betejës për kartelet konkurruese të drogës nga Meksika dhe Shqipëria.
Ka disa arsye pse kartelet tani kanë një prani më të madhe në vend sesa kishin më parë. Një marrëveshje paqeje e vitit 2016 midis qeverisë kolumbiane dhe Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) hapi konkurrencën, kur bëhej fjalë për kontrollin mbi rrugët e transportit të kokainës në Ekuador. Si rezultat, kartele të shumta nga Meksika dhe Shqipëria ngritën bazat e tyre në rajon në një përpjekje për të siguruar akses.
Politikat që zbatoi qeveria ekuadoriane gjithashtu luajtën një rol. Në një përpjekje për të qenë më i pavarur nga SHBA-ja, Ekuadori ndërpreu lidhjet me Agjencinë Amerikane të Zbatimit të Drogës, gjë që çoi në më pak kontroll policor të aktivitetit përgjatë brigjeve të tij. Ky vendim e bëri më të lehtë për trafikantët e drogës të vepronin në vend, ku u duhej të përballeshin me më pak siguri.
Grupet kriminale kanë gjetur gjithashtu aleatë në qeveri, të cilët u kanë mundësuar atyre të vendosen pa frikë nga ndëshkimi. Sipas shifrave të policisë, në Ekuador në gjysmën e parë të vitit pati 3,500 vdekje të dhunshme, ku gati gjysma ndodhi në qytetin më të madh, Guayaquil.