Politika Berisha: Rama emëroi Ballën ministër të Brendshëm si përfaqësues politik të krimit

Berisha: Rama emëroi Ballën ministër të Brendshëm si përfaqësues politik të krimit

Sali Berisha, në tryezën e debatit “Pushteti i Krimit” të organizuar nga selia blu, ka akuzuar ministrin e Brendshëm Taulant Balla si përfaqësues politik të krimit.

Në fjalën e tij në këtë tryezë, Berisha ka akuzuar ministrin Taulant Balla për lidhje kriminale dhe se ka dalë në shumë përgjime në biseda telefonike.

Sipas kryedemokratit Berisha, “Saimir Tahiri nuk është as sa 1/3 e Taulant Ballës”.

“Rezultatet e regjistrimeve të SKY ECC dhe EncroChat, kanë bërë autopsinë e këtij krimi. Por ai ka qenë i njohur. Nëse marrim Pëllumb Gjokën, baronin e drogës dhe vrasjeve, mikun e Edi Ramës, e dinë që ka bërë vrasje për të marrë tokën në Velipojë, e dinë që ka shkelmuar vendimet e gjykatave për të marrë pronat, e dinë që për një motel- Edi Rama që drekonte dhe darkonte me të- ia shpallte si hotel me pesë yje për t’i dhënë bashkë me Oltin licencën e kazinozë.

Shqiptarët i kanë denoncuar këto, nuk kanë heshtur. Ai që quhet qytetar dixhital, që është qytetar real, i guximshëm, i ka denoncuar të gjitha. Me gjithë këto denoncime, Pëllumb Gjoka jo vetëm nuk lëkundej, por merr shpërblimin, merr titullin e investitorit strategjik. Edi Rama ka lejtnantë të tjerë edhe më të fuqishëm. Shoqëria shqiptare duhet të reagojë, ndryshe është në suicid. Opozita shqiptare duhet të reagojë, ndryshe është në suicid. Është në një rreth fatal, ku vota shndërrohet në krim dhe krimi në votë. Nuk ka hanxhar më të mprehtë mbi kokën e një kombi se ky hanxhar. Ju e dini, nuk ka nevojë të jap shembuj, por Bajrët me Pëllumb Gjokën, vendosën Shkodrën në pushtim të plotë. Liruan nga burgu Safetin, u bashkuan të gjithë, terrorizonin Shkodrën me në krye ministren e Ramës, Spiropalen. Spiropali ishte një zbatuese e porosive, kurse fijet e Bajrëve çonin te Taulant Balla dhe Edi Rama. Fijet e Pëllumb Gjokës ishin direkt te Edi Rama. Fijet e bandave të Laçit, Beratit, Elbasanit ishin direkt te Edi Rama.

Çfarë ndodhi me dorëzimin e një pjese të transkriptimeve të shërbimeve të inteligjencës franceze, belge, holandeze dhe britanike? Një shtrëngim ekstrem i radhëve të krimit. Edi Rama emëroi në krye të ministrisë personin që është i interceptuar duke ndërsyer banditët kundër kundërshtarëve politikë, Taulant Ballën. Emëron Taulant Ballën, që jo vetëm në telefonat e kriptuar, por edhe në telefonat të organeve ligjzbatuese të Shqipërisë, është i regjistruar në të gjitha variantet. Është politikani më i regjistruar në të gjitha variantet, duke komanduar bandat, duke porositur vrasjet. Që i shkatërrohen përgjimet me vendim gjykate dhe prokurori.

Është i denoncuar në sallën e gjyqit si një njeri që është angazhuar në porosi vrasje. Ndodhi ngjarja e 21 prillit, Ardi Veliu, një nga balozët më të zi të krimit në Shqipëri, Ballkan dhe Europë, doli menjëherë: trafikanti Greca nuk kishte asgjë në makinën e tij. Në krye të kësaj ministrie, tani që transkriptimet e shërbimeve belge, franceze dhe holandeze, po vijnë në Shqipëri, u emërua përfaqësuesi politik më i rrezikshëm i krimit. Saimir Tahiri nuk ishte as një e treta e Ballës për krimin”.

Sali Berisha paralajmëroi se shumë shpejt Europol do të dërgojë në Shqipëri mijëra faqe të tjera transkriptime të përgjimeve ku janë përfshirë zyrtarë, oficerë policie me përfaqësues të botës së krimit, si dhe u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen në protesta.