Teksa bëri bilancin e tij për turizmin e Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama tha sot në mbledhjen e Asamblesë së PS-së se qeveria duhet të angazhohet maksimalisht për të forcuar më tej imazhin e ri të vendit.
“Për të vazhduar ngjitjen nga një pikënisje e re dhe duke parë në sy të gjithë të metat dhe problemet që kërkojnë adresim, detyra jonë është ta forcojmë më tej imazhin e ri të vendit dhe ta kthejmë në kapital ekonomike e social. Rreziku i humbje së ekuilibrit mes të ardhurave masive që turizmi sjell dhe shpenzimet, është një kërcënim real me të cilin duhet të merremi që sot. Kujdes sepse do të ishte fatale të mos e mbanim parasysh se ky lloj turizmi nuk do të jetë kurrsesi i vetmi burim i të ardhurave të Shqipërisë turistike, por duhet të jetë një sirenë alarmi për të krijuar një burim tjetër, ende të munguar që sjell të ardhura që është turizmi i konsumit të lartë që sjell shumëfishin e të ardhurave dhe zë më pak vend fizikisht. Portet turistike janë themelore për krijimin e tij, infrastruktura e re aeroportuale gjithashtu, këto po ecin edhe pse jo me ritmet më të larta, edhe për arsye subjektive.
Ndërkohë që kjo infrastrukturë e re po ndërtohet dhe zinxhiri i ri i hoteleve me 5 yje po zgjatet hap pas hapi, duhen ndërtuar edhe resortet, duhet fokusuar jo vetëm në bregdet, por edhe në hapjen e shtegut të turizmit malor, ku Shqipëria ka një tjetër potencial të pashfrytëzuar, kjo është rruga e re që duhet të çajmë tani me angazhim të madh, të kemi garantuar në fund të kësaj dekade një hyrje shumë më të madhe parash në ekonominë shqiptare, por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë. Në këtë dekadë vendoset lartësia e profilit të Shqipërisë në çdo drejtim. Shqipëria duhet të bëhet se s’bën, për bukuritë që i ka falur Zoti dhe për ato që ka trashëguar, ne duhet të synojmë majat e industrisë botërore, investimet qindra milionëshe, ja pse ne duhet të forcojmë në radhë të parë vetëdijen tonë qeverisëse. Ne s’duhet t’i harrojmë asnjë çast ata që do ta trashëgojnë nesër këtë vend, duhet të jemi vendi i ekselencës në mirëpritjen e investitorëve, duhet të rrisim menjëherë kërkesën e cilësisë ndaj investitorëve vendas. Kjo është një pikë kthese e re, ku prej tyre duhet të kërkojmë maksimumin evropian”, deklaroi Kryeministri.
Rama theksoi se arsyeja pse sot u ndal gjatë tek turizmi, përpos domosdoshmërisë, ka të bëjë me atë që ai e cilëson “momentum” i Shqipërisë në këtë sektor.
“Në një vend ku turizmi ishte bukë, sufllaqe, shalqi me djathë dhe artoporlantë si në dasëm, tani ka ndryshuar është kthyer në brand ndërkombëtar të turizmit. Shqipëria e 2030-kampione e rajonit në turizëm, që tërheq jo vetëm turizmin italian, por edhe atë të shtresës më të lartë, që vjen këtu për të shpenzuar këtu njësoj si në Maldive, do fusim shumë më shumë të ardhura në ekonominë prodhuese, me paga të larta për njerëzit tanë. Edhe kapitulli i ndërtimit të fshatrave turistikë, duhet të shpallet shkresërisht i mbyllur! Ky vend është i vogël, prandaj golemizimi i dikurshëm si model zhvillimi duhet të konsiderohen histori. Ky vend duhet të nxjerrë më shumë nga turizmi me ndërtimet e reja, me kritere dhe kërkesa të reja. Vendi ynë do duhet të rezistojë në fashën e parë të destinacioneve me nam të Mesdheut ose përndryshe do kthehet te fasha e dytë.
Në fakt as kjo e imja nuk është një fjalë për turizmin, të cilin duhet t’i kushtojmë një vëmendje të posaçme. Arsyeja pse u zgjata për turizmin ka të bëjë nga njëra anë me faktin se ky momentum është një pohim i madh që askush nuk e mohon dot, Shqipëria është ngritur në një nivel të ri dhe ka të bëjë me domosdoshmërinë strategjike që arritjet e sotshme duhet të jenë stimul i madh për ne nesër”, shtoi ai.
Sipas kreut të qeverisë nga ky sezon i suksesshëm duhen nxjerrë mësimet e duhura. Prandaj thekson se 5 vitet përpara do të jenë sprovë e madhe për Shqipërinë turistike.
Ai paralajmëron se vitin tjetër vendi do të përballet me kërkesa më të larta, prandaj duhet punuar fort që “nami i mirë” që kemi marrë sot të mos na kthehet në “boomerang” duke pasur parasysh edhe konkurrencën e fortë në Mesdhe.
“Duhen nxjerrë mësimet e këtij sezoni, që ky vend të mos bëhet viktima e suksesit të këtij viti. 5 vitet që kemi përpara do të jenë një sprovë e vërtetë zjarri për Shqipërinë turistike. Qysh vitin tjetër do duhet të përballemi me një kërkesë shumë më të lartë se e sivjetshmja edhe në sasi, por dhe në cilësi. Nëse në këtë fazë të re nuk do të jemi në lartësinë e pritshmërisë së rritur të botës ndaj nesh, atëherë ky nam i mirë që kemi marrë sot do të na kthehet në “boomerang” dhe do të na hajë të gjallë më shpejt se vonë konkurrenca e pamëshirshme e këtij pellgu të Mesdheut ku ne sa kemi futur këmbët në Superligë, ndërkohë që të tjerët rreth e rrotull kanë shumë e shumë vite që luajnë për kupën”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, lajmi i bukur i këtij viti është fakti se Shqipëria është kthyer në destinacion europian dhe i është zbardhur faqja.
“Lajmi më i bukur i këtij viti nuk është numri marramendës i turistëve, por afirmimi ndërkombëtar i Shqipërisë i kthyer në destinacion europian. Këtij vendi i është zbardhur njëherë e mirë faqja e nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare”, u shpreh Rama.