Prokuroria e Tiranës ka dalë në konkluzionin se dhuna që është ushtruar ndaj dy anëtarëve të fisit Maja nga anëtarë të fisit Rraja, nuk u ka rrezikuar jetën, edhe pse kanë pasur thyerje kockash në kokë e trup. Prokuroria ka kërkuar që të ndryshohet akuza për anëtarët e fisit Rraja, familjarë të ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja, duke e kthyer nga “plagosje të rëndë me dashje, në bashkëpunim”, në “plagosje të lehtë me dashje”.
“Në datën 08.07.2023 Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tirane ka regjistruar procedimin penal ne ngarkim te personave nen hetim Ineid Rraja, Andi Rraja, Eni Kullaj, Përparim Rraja, Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Rexhep Rraja, Klajdi Rraja e Edison Meta pèr veprên penale ” Plagosje te rende me dashje “, ne bashkëpunim. Personat nën hetim në fjalë, në mesditën e datës 06.07.2023, kanë sulmuar me mjete të forta shtetasit Jashar e Bilbil Maja.
Nëpërmjet të dhënave dhe konkluzioneve të aktit të ekspertimit mjeko ligjor mësohet se në trupin e shtetasit Jashar Maja u konstatua plagë në lëkuren e kokës si dhe shembje te indeve te buta te kokës dhe te trupit, dëmtime te shkaktuar me mjet te forte mbretes, qe nuk kane qene te rrezikshme për jetën ne momentin e shkaktimit dhe si te tille hyjne ne kategorine e atyre demtimeve qe kane sjelle si pasoje humbje te aftesise se perkohshme per pune, ne masën mbi nënte dite.
Ndërsa nëpërmjet të dhënave dhe konkluzioneve te aktit te ekspertimit mjeko ligjor, mësohet se, ne trupin e shtetasit Bilbil Maja u konstatua thyerje kockash frontale-parietale të anës së djathtë të kokës, pa dëmtime të indit trunor, plage në lekurën e kokës, thyerje e kockës ulnare të parakrahut te majtë si dhe shembje te indeve të buta të kokës dhe të trupit, dëmtime te shkaktuar me mjet të fortë mbretes, që nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën ne momentin e shkaktimit dhe si të tillë hyjnë ne kategorinë e atyre dëmtimeve, qe kane sjelle si pasoje humbje të aftësisë së përkohshme për pune, në masën mbi nëntë ditë. Mbështetur ne kriterin mjeksor, të parashikuar ne ligj, dëmtimet e shtetasve Jashar e Bilbil Maja, e klasifikojnë veprën penale te kryer ndaj tyre si, ‘Plagosja e lehtë me dashje’, parashikuar nga neni 89 i K. Penal”, thuhet ne shkresën e prokurorisë.