Si sot 25 vjet më parë u vra Azem Hajdari, lideri i Lëvizjes Studentore 1990-1991 e njëkohësisht njeriu që simbolizon nisjen e periudhës së demokracisë në vendin tonë.
Këtë të martë, në “Varrezat e Dëshmorëve” kanë nisur homazhet në nder të tij, ku të pranishëm ishin familjarë, miq e anëtarë të “Grupimit Dhjetor ‘90”, ndër ta dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Ata kanë vendosur kurora me lule në varrin e Azem Hajdarit. Pritet që homazhet të zhvendosen te Memoriali i Azem Hajdarit në orën 12:30.
Më 12 shtator të vitit 1998, Azem Hajdari ndodhej në qytetin e Fierit, ku edhe merrte pjesë në një miting të organizuar nga Partia Demokratike, më pas u ndal në Lushnje dhe më pas mbërriti në Tiranë.
Në mbrëmje u kthye në zyrën e tij në selinë e Partisë Demokratike, ku po zhvillonte takime të tjera, por u shkëput vetëm pak për të takuar bashkëshorten e tij, e cila ishte në pritje të një djali dhe dy fëmijët e tjerë, Rudinën dhe djalin e madh, Kirjald. Pas takimit me ta, rreth orës 20:00, flitet se dikush e kishte marrë në telefon dhe i kishte kërkuar që të dilte jashtë, moment që shënoi dhe vdekjen e tij.