Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, se Azerbajxhani ka çdo të drejtë të ndërmarrë “hapa për të ruajtur integritetin e tij territorial”.
“Nagorno-Karabaku është territor i Azerbajxhanit,” tha Erdogani në OKB, duke shtuar se çdo status tjetër për këtë territor “nuk do të pranohet kurrë”.
Para deklaratës së Erdoganit edhe Ministria e Jashtme turke kishte deklaruar se: “Si rezultat i shqetësimeve legjitime dhe të justifikuara që ka shprehur vazhdimisht në lidhje me situatën në terren gjatë gati tre vjetëve, që nga përfundimi i Luftës së Dytë të Karabakut, Azerbajxhaniti është dashur të marrë masa që i konsideron të nevojshme në territorin e vet sovran”.
Megjithë këto deklarata diplomatët turq u kërkuan të gjitha palëve t’u kthehen bisedimeve të paqes.
“Ne besojmë se sigurimi i vazhdimit të procesit të negociatave gjithëpërfshirëse midis Azerbajxhanit dhe Armenisë… është e vetmja mënyrë për të vendosur paqen, sigurinë, prosperitetin dhe stabilitetin e përhershëm në rajon”, thuhet në një deklaratë të palës turke.
Berbock: Azerbajxhani duhet të ndalojë menjëherë bombardimet
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Berbock, e akuzoi Azerbajxhanin se ka thyer fjalën duke nisur aksionin ushtarak në rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakut, “Premtimi i Bakut për t’u përmbajtur nga veprimet ushtarake u thye”.
Duke folur në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Baerbock tha: “Azerbajxhani duhet të ndalojë menjëherë bombardimet dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve.”
Franca kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së
Franca i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të mblidhet menjëherë pas operacioneve ushtarake të Azerbajxhanit.
Ministria e Jashtme franceze tha në një deklaratë se asnjë pretekst nuk mund të justifikojë operacionin ushtarak të Azerbajxhanit të nisur në Nagorno-Karabakh.
Ministria e Jashtme franceze tha në deklaratë se shpërthimi i luftimeve “kërcënon mijëra civilë tashmë të prekur nga një bllokadë e paligjshme disamujore dhe që bie ndesh me përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të arritur një zgjidhje të negociuar”.
Të paktën 27 persona janë vrarë dhe 200 të tjerë janë plagosur në një operacion ushtarak nga Azerbajxhani në rajonin e Nagorno-Karabakut.
Azerbajxhani dhe Armenia fillimisht hynë në luftë në fillim të viteve 1990 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Më pas, në vitin 2020, Azerbajxhani rimori zonat në dhe rreth Nagorno-Karabakh-ut, ndërsa më pas ra dakord për një armëpushim të monitoruar nga paqeruajtësit rusë.