Rreth 600 efektivë policie u angazhuan për kapjen e Klered Bozhanajt, 42-vjeçarit i cili mbrëmjen e së mërkurës plagosi me armë zjarri efektivin e policisë, Edlir Alleshi.
24 orë pas ngjarjes që ndodhi në zonën e Kinostudios, policia e Tiranës njoftoi arrestimin e tij, ashtu sikurse edhe sekuestrimin e pistoletës me të cilën qëlloi efektivin.
“Në vijim të veprimeve kërkimore të kryera nga strukturat e DVP Tiranë, për kapjen e autorit të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, shtetasit Klered Bozhanaj, 42 vjeç, i cili ka tentuar të vrasë me armë zjarri punonjësin e Policisë, inspektor Edlir Alleshi, ju informojmë se: Gjatë kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Klered Bozhanaj, strukturat e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar autorin e dyshuar. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë, e përdorur gjatë krimit”, tha policia.
Bozhanaj u kap në momentin që shkoi në banesën e tij, pikërisht në zonën ku ndodhi dhe ngjarja. Fillimisht ka pasur rezistencë duke debatuar me punonjësit e policisë që e kanë mbajtur nën vëzhgim banesën, por më pas është arrestuar.
Arrestimin e 42-vjeçarit e përshëndeti edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
“Përgëzoj Policinë e Shtetit për arrestimin e autorit të plagosjes së efektivit të shqiponjave mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Është momenti të kujtoj se kush nuk i bindet urdhrit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca do të jetë ZERO.
Do bëj gjithçka që një politikë/praktikë e re penale të zërë vend në këtë drejtim, duke kërkuar mbështetjen e sistemit të drejtësisë. Kuadri ligjor është aty në Kodin Penal (me ndryshimet që kam mbështetur vetë në Kuvend në vitin 2019) dhe në ligjin për Policinë Shtetit”, tha Balla.