Rreth 46 mijë qytetarë të Bashkisë së Kukësit do t’u drejtohen kutive të votimit ditën e sotme për të zgjedhur drejtuesin e ri lokal, pas shkarkimit të Safet Gjicit, i përfshirë në një skandal seksual.
Qytetarët kuksianë do të kenë mundësi të zgjedhin mes dy kandidatëve, Albert Halilaj të mazhorancës dhe Emri Vata nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’, teksa Partia Demokratike zyrtare ka vendosur të mos dalë me një kandidat për këto zgjedhje të pjesshme.
Kutitë e votimit u hapën në orën 07:00 të mëngjesit, teksa procesi i votimit pritet të mbyllet rreth orës 19:00.
Në Bashkinë e Kukësit janë në total 74 qendra votimi, teksa votuesit do të kenë vetëm një fletë për të shprehur vullnetin e tyre.
Drejtoria Vendore e Policisë Kukës dhe Komisariati i Policisë Kukës ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë ditës së votimit, garantimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të subjekteve që marrin pjesë.
Në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar 99 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në 74 qendrat e votimit dhe në vendnumërimin e votave prane KZAZ-së nr. 11 Kukës.
Gjithashtu, për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, në vazhdimësinë e shërbimeve që kryen Policia e Shtetit çdo ditë, janë angazhuar dhe 78 punonjës të tjerë policie.
Zgjedhjet në Kukës zhvillohen pas skandalit që përfshiu ish kryebashkiakun Safet Gjici, disa javë pasi fitoi zgjedhjet e 14 majit. Ai u shfaq në një video duke kryer marrëdhënie intime me Alma K. brenda në ambientet e zyrës së bashkisë.