Bota Historia e Cosa Nostra-s: Nga origjina deri te bosi i fundit. A...

Historia e Cosa Nostra-s: Nga origjina deri te bosi i fundit. A ka marrë goditjen finale me vdekjen e Messina Denaros?

Vdekja për shkak të sëmundjes së Matteo Messina Denaro, një prej drejtuesve më të kërkuar mafiozë të dekadave të fundit dhe një profil kriminal i spikatur në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare, shënon një ndërprerje. Me të zhduket figura e fundit, pas asaj të bosëve kryesorë të korleonezë, Bernardo Provenzano në 2016 dhe Totò Riina në 2017, i aftë për të përfaqësuar, Cosa Nostra, duke i dhënë asaj fytyrën, hijen e zezë të organizatës që themeloi, konceptin e vetë krimit të organizuar të paktën në imagjinatën kolektive.

Nga origjina e Cosa Nostra-s te luftërat e brendshme, revista italiane Focus.it sjell një përmbledhje të mafias italiane dhe ngre pyetjen nëse vdekja e fundit e bosit mafioz mund të shënojë goditjen përfundimtare për mafian italiane?

E DREJTA PËR TË KOMANDUAR. Ngjarjet e Cosa Nostra-s zhvillohen përgjatë rrugës më të gjerë të ndjekur nga ato italiane dhe kanë rrënjë të thella. Mafia siçiliane u shfaq në shekullin e 19-të, u rrit në epokën liberale, madje u degëzua jashtë vendit, si në Shtetet e Bashkuara, dhe zgjeroi ndikimin e saj edhe gjatë diktaturës së Musolinit, veçanërisht në nivel lokal.

Ajo mbijetoi kur shteti monarkik dhe më pas fashist u përpoq të imponohej ashpër, dhe më pas shfrytëzoi përzierjen me autoritetet politike të gatshme për të toleruar apo edhe për të bashkëpunuar. Në artikulimet e saj të ndryshme, ajo kultivoi një plan heterogjen për t’i dhënë vetes funksione thelbësore, si kontrollin e territorit, rolin e rregullatorit ekonomik ose monopolin e forcës.

LUFTA E BRENDSHME: Pas Luftës së Dytë Botërore, pasoi një evolucion kompleks. Fazat e bashkëjetesës me pushtetin publik u alternuan me të tjera, si për shembull në vitet 1980, kur fraksione të ndryshme u përplasën, duke lënë qindra të vdekur në terren. Pikërisht, atëherë korleonezët, të quajtur kështu sepse vinin nga zona Corleone (Korleone), në provincën e Palermos, fituan një epërsi në rritje.

FUQIA NË CORLEONE: Nën udhëheqjen e Totò Riina dhe Bernardo Provenzano, mafia siçiliane pretendoi hapësira të reja të përdorshmërisë dhe paligjshmërisë, duke minuar legjitimitetin dhe prerogativat e shtetit republikan. Një seri e gjatë sulmesh goditi më pas figura publike, politike dhe institucionale, si deputeti komunist Pio La Torre ose gjenerali Carlo Alberto dalla Chiesa.

SEZONI I BOMBAVE: Kur filloi kundërofensiva, konflikti u përshkallëzua. Angazhimi i vendosur i një pjese të drejtësisë dhe dënimet gjatë të ashtuquajturit gjyq i madh, duke filluar nga viti 1987, u pasuan me sezonin e bombave me sulme të vërteta terroriste si ato të vitit 1992 kundër magjistratëve Giovanni Falcone (i vrarë në Capaci së bashku me gruan e tij Francesca Morvillo dhe tre agjentët e shoqërimit) dhe Paolo Borsellino (i vrarë në Palermo së bashku me pesë agjentët e eskortës). Ose ato të vitit 1993, ku përfshiheshin edhe qytetet e Romës, Milanos dhe Firences.

METODA FALCONE DHE BORSELLINO: Përshpejtimi i masakrës, pavarësisht se destabilizoi vendin, u bllokua. Dënimet e konfirmuara nga Gjykata e Lartë nuk u vunë në dyshim, metoda e treguar nga Falcone dhe Borsellino u bë model dhe shumë bosë mafiozë, si vetë Riina në 1993, që u arrestuan. Mafia, e cila deri atëherë kishte luhatur midis marrëveshjeve të fshehta dhe kundërshtimit të pushtetit publik, nuk ishte në gjendje të fitonte.

STRATEGJIA E HUMBJES: Ato vite dramatike shkatërruan atmosferën e pathyeshmërisë që rrethonte Cosa Nostra-n. Me një veprim represiv efektiv, të zbatuar në një moment emergjence demokratike, disa nga supozimet që kishin favorizuar dhe forcuar korleonezët u përmbysën.

SHEFI I FUNDIT: Shumëçka ka ndryshuar që nga vitet ’90. Ka filluar një periudhë copëzimi, transformimi dhe fundosjeje. Figura si ajo e Provenzanos, garant i pushtetit korleonez të arrestuar në vitin 2006, u janë bashkuar edhe të tjerë më të rinj, të paskrupullt dhe pragmatikë, si ai i Matteo Messina Denaro. I lindur në provincën e Trapanit në vitin 1962, dhe bir i një bosi, Messina Denaro ishte shumë i afërt me Riinën, ekzekutues besnik i direktivave të tij dhe më pas, nga viti 1992, drejtues kriminal në qendër të trafikut të paligjshëm dhe biznesit të paligjshëm.

NË ARRATI: Kapja e tij u bë në janar 2023 në Palermo, pranë klinikës private ku ai shkoi për të trajtuar një tumor në një fazë të avancuar. Puna e gjerë e karabinierëve të ROS (Grupi Operacional Special) dhe shmangia e shefit nga masat e miratuara deri në atë moment çuan në një arrestim vendimtar, dhe fundin e një mungese tridhjetëvjeçare, që kishte gëzuar në heshtje dhe me kompromise.

FUNDI I NJË EPOKE: E gjithë kjo u shfaq, për disa komentues, si shenja më e prekshme e “fundit të një epoke”. Dhe për më tepër lajmi përveçse tronditi opinionin publik, bëri menjëherë xhiron e botës. “Mafiozi i fundit italian i lidhur me një periudhë brutale”, sipas gazetës më të madhe në Shtetet e Bashkuara, New York Times. “Kumbari” i fundit i mafies siçiliane dhe një nga kriminelët më të kërkuar në botë”, thuhet në raportin e Guardian të Londrës. Për Le Monde franceze, “një cikël i tërë i historisë italiane” ka marrë fund, ndërsa për El País spanjolle, Italia ka “neutralizuar simbolin e fundit të një epoke të tmerrshme”.

GODITJA PËRFUNDIMTARE? Të paktën për jehonën që ngjalli, fundi i Messina Denaro, i cili vdiq në shtator 2023 për shkak të patologjisë së tij, në spitalin L’Aquila, përbënte në vetvete një goditje të mëtejshme për mafian siçiliane, tashmë të dobësuar dhe jo më të aftë të vendosjes së praktikave brutale kundër pushtetit me tipare subversive. Goditja e pësuar, duke pasur parasysh edhe ndryshimet në kuadrin social-ekonomik, mund të mos jetë vdekjeprurëse dhe vëmendja ndaj fenomenit mafioz mbetet e lartë. Një fenomen që, sipas kërkimeve historike, jo vetëm duket i rrënjosur në kontekstin italian dhe brishtësinë e tij të madhe, por duhet kundërshtuar në emër të ligjshmërisë kushtetuese dhe kulturës së ligjit. Të dyja në kundërshtim me historinë e Cosa Nostra-s.