Numri dy i Listës Serbe, Milan Radoiçiç nëpërmjet një deklarate të lexuar para mediave në Beograd nga përfaqësuesi i tij ligjor Goran Petronijeviç, ka pranuar se ishte pjesë e grupit paramilitar serb që kreu sulmin terrorist në Banjskë, nga i cili humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku.
“Unë, Milan Radojiçiç, i lindur më 1978, në Pejë të Kosovës në kuadër të spekulimeve të shumta, njoftoj mbarë opinionin se së bashku me bashkatdhetarët e mi nga veriu i Kosovës, më 24 shtator 2023, kam shkuar në veri të Kosovës në zonën e fshatit Banjskë”, thuhet në fjalimin e tij.
Duke shfajësuar autoritetet në Beograd dhe Presidentin Vuçiç, të cilët akuzohen se mbështetën sulmin e armatosur me financime dhe logjistikë ushtarake, Radojçiç shprehet se “arsyeja e hyrjes në Veri ishte inkurajimi i popullit serb nga ajo zonë për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit”.
Më tej, Radojçiç nuk e fsheh aspak qëllimin për të kërkuar sipas tij lirinë e serbëve në Veri.
“Arsyeja e hyrjes në Veri ishte për të mbrojtur popullin tonë të ekspozuar ndaj atij terrori dhe për të krijuar kushte për realizimin e ëndrrës së lirisë së popullit tim në veri të vendit. Njoftoj të gjithë të përndjekurit në detyrë nga populli serb, që nga Kurti e deri te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka pasur karakter apo qëllim tjetër dhe nuk ka të bëjë me përfshirjen time të mëparshme politike.”