Histori Si do të ishte bota sot nëse Aleksandri i Madh do t’ia...

Si do të ishte bota sot nëse Aleksandri i Madh do t’ia kishte lënë perandorinë një personi të vetëm

Ndërsa Aleksandri i Madh ra në shtratin e vdekjes më 323 pes, gjeneralët e pyetën se kujt do t’ia linte perandorinë. “Më të fortit,” tha Aleksandri, dhe vdiq. Sigurisht, ata të gjithë filluan të luftonin për të gjetur më të fortin, dhe perandoria u copëtua.

Perandoria e Aleksandrit shtrihej nga Greqia deri në Pakistanin e sotëm, territor prej rreth 5 milionë kilometra katrorë. Perandoria Romake ia kaloi perandorisë së Maqedonisë në përmasa, por Aleksandri e ngriti atë më shpejtë, në vetëm 13 vjet, para se të vdiste në moshën 32 vjeçare.

Aleksandri i Madh la një djalë të palindur dhe një turmë  gjeneralësh ambicioze që prisnin me padurim të mbushnin vakumin e pushtetit – ndërsa rivalët e vranë djalin e tij para ditëlindjes së 12-të.

Kështu, në Babiloni, në vitin 323 pes, gjeneralët e ndanë perandorinë në tre pjesë, me sundimtarë në Greqi, Maqedoni dhe Evropë juglindore; Azi e Vogël (Turqi e sotme); dhe Afrikë veriore. Azia Perëndimore dhe qendrore u morr nga të tjerë.

Ptolemeu, i cili kishte shërbyer me Aleksandrin, krijoi një perandori të veçantë në Afrikën veriore dhe Sirinë jugore. Ai e filloi detyrën si guvernator, por në vitin 305 pes, e shpalli veten mbret. Dinastia e Ptolemeut sundoi për 275 vjet, deri në vdekjen e Kleopatrës, në vitin 30 para erës sonë

Por çfarë do të kishte ndodhur nëse Aleksandri do t’ia kishte lënë perandorinë e tij një personi të vetëm? E pamundur që perandoria të ishte zgjeruar, thonë historianët, pasi mungonin karizma e Aleksandrit dhe mendjemprehtësia, apo talenti i tij ushtarak. Disa thonë se gjenerali Perdikas ishte kandidati kryesor.  Por ai u vra nga oficerët e tij.

Nëse një person i vetëm do të kishte vazhduar të qeveriste perandorinë, historia e botës sot mund të ishte ndryshe, thonë historianët. Një udhëheqës tërheqës me madhështi ushtarake mund të kishte pushtuar Sicilinë dhe Romën, kur kjo ishte përfshirë thellë në luftën me rivalët e saj. Një pushtim në kohën e duhur do t’i kishte dhënë pasardhësit të Aleksandrit një avantazh të madh, dhe mund të kishte parandaluar formimin e Perandorisë Romake.

Një perandori gjigante maqedonase mund të kishte ndryshuar edhe historinë fetare.

Më shumë hebrenj do të ishin helenizuar nën një perandori të tillë; myslimanët mund të mos ishin shtrirë në Ballkan. Për shembull, perandori bizantin, Justinian I, i përndoqi filozofët grekë kur mbylli Akademinë në Athinë në vitin 529. Këta filozofë shkuan në lindje, larg nga perandoria, shumë u vendosën në Bagdad dhe ndikuan mendimtarët islamë me Neoplatonizmin e tyre. Ndërsa Krishterimi, pa Perandorinë Romake, mund të mos ishte shtrirë në Perëndim dhe Evropa sot do të ishte krejt ndryshe. Pa Romën, Evropa nuk do të kishte teknologji ndërtimi e as ujësjellës, të cilat i dhanë epërsi Rilindjes.

Por nuk ekzistonte asnjë udhëheqës  për të patur llojin e vizionit të Aleksandrit, për të stabilizuar apo për të ruajtur të bashkuar një perandori – dhe asnjë nga pasardhësit e tij nuk e demonstroi këtë zotësi.