Aktivistja iraniane, Narges Mohammadi është shpallur fituese e çmimit Nobel për Paqen.
Sipas Komitetit të Nobelit, ajo mori këtë çmim për luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe përpjekjet e saj për promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirisë së njerëzve. Narges Mohammadi është një aktiviste iraniane dhe po ashtu mban pozicionin e nënkryetares së Qendrës së Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut.
Fituesja e Nobelit për Paqen, Mohammadi, ka marrë disa dënime me burg që nga viti 2011 dhe akutualisht ndodhet në burgun famëkeq Evin të Teheranit për “përhapje propagande”. Në dhënien e çmimit, Komiteti i Nobelit tha se lufta e guximshme e Mohammadit si aktiviste i ka sjellë kosto të jashtëzakonshme personale.
“Gjithsej, regjimi e ka arrestuar 13 herë, e ka dënuar 5 herë dhe e ka dënuar me gjithsej 31 vjet burg. Narges Mohammadi është ende në burg ndërsa unë flas”, tha Berit Reiss-Andersen, shefja e Komitetit Norvegjez të Nobelit në Oslo.
Këtë vit, Narges Mohammedi u përfshi gjithashtu në 100 Gratë e BBC-së, një listë kjo e profilit të lartë prej 100 grave frymëzuese dhe me ndikim nga e gjithë bota.