Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka mohuar në mënyrë kategorike opsionin e ekstradimit të terroristit serb, Millan Radojiçiç, i cili pranoi se ishte pjesë e grupit terrorist në sulmin në Banjë zë Zveçanit ku mbeti i vrarë një pjesëtar i policisë së Kosovës.
“Po tallesh, apo çfarë”, ishte përgjigja e Vuçiç kur u pyet për kërkesat e autoriteteve kosovare që Radojiçiç të ekstradohet në Kosovë, pas ngjarjeve të 24 shtatorit.
“Ju e dini që ne nuk mund të ekstradojmë askënd në Kosovë pasi që Serbia nuk e njeh këtë të fundit si shtet”, tha Vuçiç në një intervistë për mediumi prestigjioz britanik, Sky News.
Sipas tij, Radojiçiç aktualisht ka statusin e të paditurit në Serbi për një vepër siç tha ai “të madhe penale”.
Serbia përmes Prokurorisë serbe tha se terroristi, Milan Radojiçiç ka siguruar arsenal armësh nga Tuzlla e Bosnje e Hercegovinës, prej janarit deri në shtator të këtij viti, përmes së cilave më pastaj ka organizuar sulmin terroristë në Banjë të Zveçanit, gjë që u mohua në mënyrë kategorike nga kryeministri i i Federatës së Bosnje-Hercegovinës, Nermin Nikshiç.
Serbia, sipas Nikshiç, po tenton ta fajësojë dhe ta tërheqë brenda lojës edhe Bosnje e Hercegovinën në rastin e Manastirit të Banjës.
Megjithatë, Vuçiç, gjatë intervistës për Sky News doli me një pistë më të gjerë se prej nga ku Radojiçiç mund të ketë blerë armatim.
Sipas Vuçiçit, Radojiçiç në prokurori ka thënë se një pjesë e armatimit është blerë edhe në Kroaci e edhe në Serbi.
“Është e lehtë për ta t’i gjejnë kudo, jo vetëm në tregun e zi, por gjithkund”, tha Vuçiç ndërsa shtoi se “Radojiçiç kur u pyet në procedurën paragjyqësore ka thënë se ka blerë diçka në Serbi, diçka në Kroaci, diçka në Bosnjë, le ta shohim tani”.