Bota Pentagoni do t’i sigurojë Izraelit “gjithçka i duhet për të mbrojtur veten...

Pentagoni do t’i sigurojë Izraelit “gjithçka i duhet për të mbrojtur veten nga Hamasi”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, e ka bërë të qartë se Pentagoni do t’i sigurojë Izraelit çdo mjet të nevojshëm, që të përballojë sulmet e militantëve të Hamasit, pas agresionit të rajoneve jugore mëngjesin e 7 tetorit, të cilat kanë krijuar një kaos të vërtetë dhe kanë detyruar shtetin hebre të shpallë gjendjen e mobilizimit, duke dërguar në jug batalione të tëra ushtarake, për mbrojtjen e territorit.

SHBA-të janë ndër aleatët më të mëdhenj të Izraelit në botë dhe këtë e kanë vërtetuar me garancitë e dhëna për palën izraelite.

Njëkohësisht, Amerika ka dënuar “sulmet e paprovokuara” nga terroristët e Hamasit, kundër civilëve izraelitë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë pa mëdyshje sulmet e paprovokuara të terroristëve të Hamasit kundër civilëve izraelitë. Nuk ka asnjë justifikim për terrorizmin. Ne qëndrojmë me vendosmëri pranë qeverisë dhe popullit të Izraelit dhe shprehim ngushëllimet tona për jetët izraelite të humbura në këto sulme”, thekson njoftimi i Shtëpisë së Bardhë.