Grupi i biznesit BALFIN ka dalë nga investimi në tregun mediatik, duke shitur pas një viti e gjysmë nga blerja shoqërinë mediatike SCAN sha. (televizion dhe portal informacioni).
Sipas kontratës së shitblerjes së aksioneve, Balfin ka shitur 70% të aksioneve në SCAN te administratorja e shoqërisë, Dorina Sela, për 105 mijë euro. Më herët, në muajin qershor Balfin kishte shitur edhe 15% të aksioneve te Artan Hoxha për 45 mijë euro dhe 15% të tjera po te administratorja Dorina Sela për shumën simbolike 1 euro.
Individi blerës i aksioneve, Dorina Sela, nuk rezulton të ketë angazhime të tjera në biznes dhe para emërimit si administratore e Tv Scan, në prill të këtij viti, ka qenë punonjëse në shoqërinë G2 Media, (A2-CNN).
Në total, BALFIN ka marrë për aksionet e Scan 150 mijë euro, ndërkohë që e pati blerë shoqërinë në mars të vitit 2022 për 700 mijë euro. Duke llogaritur edhe shtesën e kapitalit në para prej afërsisht 150 milionë lekësh, të injektuar në shoqërinë SCAN sh.a., humbja totale e BALFIN nga investimi në SCAN mund të llogaritet në afërsisht dy milionë euro.
Sipas pasqyrave të audituara financiare, SCAN e mbylli vitin 2022 me humbje neto në vlerën e 114 milionë lekëve. Shoqëria ka rishikuar edhe pasqyrat financiare të vitit 2021, duke e rivlerësuar humbjen vjetore nga 252 milionë lekë në 315 milionë lekë. Rivlerësimi në rritje i humbjeve të vitit financiar 2021 ka ardhur kryesisht si rezultat i zhvlerësimit të aktiveve materiale. Në total, gjatë periudhës 2021-2022, Scan sha ka akumuluar humbje totale në vlerën e 429 milionë lekëve (më shumë se 4 milionë euro me kursin aktual).
Në fillim të vitit të kaluar, në një prononcim për “Monitor” Grupi BALFIN shprehej se ambicia e ishte ndërtimi i një medie që të trajtonte çështje ekonomike dhe të lidhura me biznesin duke ofruar informacion të plotë, profesional dhe të paanshëm nga Shqipëria dhe rajoni.
Sipas drejtuesve të komunikimit të grupit, nga ana e Grupit BALFIN ishin nënkontraktuar ekspertë të huaj, që do të bënin riorganizimin e televizionit për t’ju përgjigjur sa më mirë pritshmërive të një televizioni rajonal kushtuar çështjeve të ekonomisë dhe të biznesit.
Por, duket se ngritja e sipërmarrjeve mediatike fitimprurëse në Shqipëri ngelet një sfidë e vështirë dhe Grupi BALFIN është tërhequr shumë shpejt nga ky treg.
Grupi BALFIN është një ndër konglomeratet më të mëdha të biznesit në Shqipëri, me aktivitet në sektorët e tregtisë me pakicë, ndërtimit, zhvillimit dhe administrimit të pasurive të paluajtshme, turizmit, sektorit financiar, arsimit, transportit, etj.
Sipas pasqyrave financiare të kompanive të grupit, të përpunuara nga “Monitor”, vitin e kaluar grupi Balfin ishte grupi i dytë më i madh i biznesit në Shqipëri për nga vlera e qarkullimit vjetor. Të ardhurat vjetore kishin një vlerë totale prej afërsisht 40 miliardë lekësh./Monitor