Aktualitet Berisha nën akuzë, SPAK: Favorizoi dhëndrin, Malltezi përfitoi 5.4 milionë euro nga...

Berisha nën akuzë, SPAK: Favorizoi dhëndrin, Malltezi përfitoi 5.4 milionë euro nga privatizimi

Prokuroria e Posaçme, SPAK ka komunikuar zyrtarisht akuzën e ngritur ndaj ish-Kryeministrit, Sali Berisha, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesit Fatmir Bekatshi.

Në një deklaratë për mediat, SPAK radhit provat që ka siguruar nga hetimi i nisur prej vitit 2020 kohë kur ish-Sekretari i Përgjithshëm i PS, sot Ministër i Brendshëm, Taulant Balla kallëzoi pranë strukturave të posaçme privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.

Kështu pas rreth 3 vitesh hetime, Prokuroria e Posaçme thotë se ka gjetur fajtor ish-kryeministrin Berisha, e cila sipas saj ka kryer veprime konkrete dhe aktive duke miratuar ligje apo akte nënligjore me qëllim që në procesin e privatizimit të paraqiteshin 5 familjet e njohura pronare, ku fitues ndër të tjerë ishte Jamarbër Malltezi.

Gjithashtu, SPAK thotë se Berisha në cilësinë e Kryeministrit të Shqipërisë ka vënë në dispozicion të Malltezit, struktura të ndryshme të administratës shtetërore me qëllim realizimin e procesit të privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Nga ana tjetër, për vetë Malltezin, prokuroria thotë se ka dyshime se ka kryer procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv, për t’i ndryshuar më pas destinacion dhe përdorur për përfitim material, gjë që ka çuar në ndërtimin e një kompleksi pallatesh.

Nga ndërtimi i këtyre të fundit, SPAK thotë se ka përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi.

Përfitimet kanë qenë monetare, dhe mënyra se si ai ka arritur t’i marrë, prokuroria thotë se ka përdorur statusin e tij në cilësinë e investitorit tek shoqëria “Homeplan shpk”, ndonëse në këtë të fundit SPAK thotë se Malltezi nuk kishte investuar asgjë.

Fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, përllogariten në total në rreth 5.4 milionë Euro.

Por për të vënë në jetë këtë skemë, Prokuroria e Posaçme ka arritur në konkluzionin se Jamarbër Malltezi ka bashkëpunuar me investitorin Fatmir Bektashi, i cili ka kryer dhe ndërtimin e bllokut të banesave në ish-kompleksin Partizani. Ndërtuesi akuzohet si personi, i cili ka bashkëpunuar me dhëndrin e ish-kryeministrit, për arritjen e përfitimit të territorit të ish-kompleksit sportiv e më pas zhvillimin në të ndërtimit të pallateve.

Gjithashtu, Bektashi është personi i cili ka dhënë përfitimet e cilësuara si të paligjshme nga SPAK, përmes shoqërisë Homeplan shpk ku ishte investitor Jamarbër Malltezi.

Nisur nga këto të dhëna të përfituara nga hetimi 3-vjeçar i SPAK, prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “pengim për të dalë jashtë vendit” për ish-kryeministrin, Sali Berisha dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi si dhe “arrest me burg” për Jamarbër Malltezin.

Masa këto të ekzetuara nga policia pasditen e së shtunës. Gjithashtu po me kërkesë të SPAK dhe aprovim të Gjykatës së Posaçme janë vënë në sekuestro 16 (gjashtëmbëdhjetë) pasuri të paluajtshme në pronësi Jamarbër Malltezit mes të cilave dhe kuota të shoqëri ku ai rezulton aksioner.

AKUZAT:

Ish-kryeministri Sali Berisha dyshohet të ketë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.

Jamarbër Malltezi dyshohet të ketë konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Fatmir Bektashi dyshohet të ketë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, si dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

MASAT E SIGURIMIT:

“Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha.

“Arrest në burg”, ndaj Jamarbër Malltezit.

“Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndaj Fatmir Bektashit.

NEN SEKUESTRO:

-16 pasuri të paluajtshme në pronësi të Jamarbër Malltezit.

-6 llogari bankare në emër të Jamarbër Malltezit.

-Kuotat e kapitalit themeltar në pronësi të Jamarbër Malltezit në shoqëritë “Homeplan” shpk (45% e kuotave), “Magnet IMO” shpk (100% e kuotave) dhe “Magnet Gym&Fit (60% e kuotave).