Edhe pse të gjitha forcat politike në vend e mbështesin projektligjin e ri për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe në komisione ajo deri më tani është miratuar nga të gjitha palët, duket se nuk ndodh e njëjta gjë me vendet e rajonit.
Ky projektligj dhe mospërfshirja e minoritetit të saj ka vënë në lëvizje ambasadën bullgare në Tiranë.
“Realisht ndjeshmëria është e lartë. Në vetëm pak ditë më parë, në email-et tona ka mbërritur një kërkesë në adresë të komisionit edhe nga Ambasada Bullgare, për t’u bërë e mundur që edha ata të dëgjohen në këtë komison. Dhe ndoshta zonja kreytare është momenti që t’i kthejmë një përgjigje që dhe ata të vijnë nesër dhe të kenë mundësi të diskutojnë për këtë ligj”, deklaroi deputetja e LSI, Klajda Gjosha.
Ndërsa ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati saktësoi se kjo letër ka mbërritur dhe në Komisionin e Ligjeve, por kërkoi nga deputetët që të jenë të unifikuar në qëndrimin e tyre.
“Më gjithë respektin për letrat, duhet ta ndajmë shumë qartë edhe parimin ndërkombëtar edhe parimin kushtetues, se kush quhet grup interesi dhe grup që përfiton nga ky ligj dhe vetë ne Komisioni i Politikës së Jashtme për vetë specifikën duhet ta kemi mirë parasysh këtë gjë. Shpresoj të jemi të unifikuar në këtë qëndrim”, deklaroi Bushati.
Në projektligjin e paraqitur në Kuvend për diskutim janë të parashikuara 8 pakica kombëtare në Shqipëri, të cilat do të dëgjohen për qëndrimet e tyre mbi të ditën e martë, në një mbledhje të përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe atij të Punëve të Jashtme.