Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të enjten në mbrëmje përmes një komunikate se ishte i gatshëm të nënshkruante projektin e ofruar nga diplomacia perëndimore për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç se e refuzoi atë.
Pas disa ore bisedimesh të ndara me udhëheqësit e vendeve kryesore perëndimore, kryeministri Kurti citohet të ketë thënë se Kosova e ka pranuar Marrëveshjen Bazike të Brukselit të arritur me 27 shkurti dhe dokumentin për zbatimin që u arit në Ohër me 18 mars dhe se marrëveshja duhet zbatuar në tërësi, pa kushte, pa vonesa.
Megjithatë, Qeveria e Kosovës njofton se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën sipas Kosovës, i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 Tetor 2023.
“Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruajë edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe SHBA-ja për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike. Përkundër kësaj oferte gjeneroze të Kryeministrit Kurti, Presidenti i Serbisë, Vuçiç, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit Kurti.
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në orët e pasdites u takuan me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të ripërtërirë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Takimet e ndara nxitën një ndjenje optimizmi te zyrtarët evropianë dhe shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se puna po vazhdon.
“Ndoshta do të na duhet ta lëmë mbledhjen e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe të ulemi sërish me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për të parë nëse mund të gjejmë zgjidhje brenda dialogut. Nuk ka zgjidhje tjetër, rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon nëpërmjet këtij dialogu, në mënyrë që të normalizohen marrëdhëniet ndërmjet tyre”, tha Borrell.
Bisedimet u mbajtën para fillimit të takimit të lartë të udhëheqësve të vendeve të BE-së, të cilët për dy ditë me radhë do të diskutojnë zhvillimet në botë, përfshirë edhe tensionet Kosovë–Serbi, të cilat arritën një shkallë të lartë pas ngjarjeve të muajit të kaluar në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.
Takimet e sotme pasuan vizitën e të dërguarve perëndimorë në Prishtinë dhe Beograd fundjavën e kaluar, gjatë së cilës paraqitën një plan për zbatimin e marrëveshjes së arritur me herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.
Zyrtarët evropianë thanë është “një propozim bashkëkohor evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca tha të mërkurën se propozimi i diplomatëve perëndimorë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që i është dorëzuar qeverisë së Kosovës, “është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës” dhe nuk krijon një nivel të tretë pushteti.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha para se të nisej për në Bruksel se Prishtina nuk është e gatshme të themelojë Asociacionin, ndërsa nënvizoi se “pozicioni i Serbisë është bërë edhe më i vështirë pas sulmit në Banjskë të Zveçanit ndaj policisë së Kosovës”.
Rrjedha e takimeve mund të pasqyrohet edhe në debatet përgjatë takimit të lartë të udhëheqësve të 27 vendeve anëtare të BE-së të cilët pritet të miratojnë përfundimet në të cilët palëve do t’u kërkohet që të përmbushin të gjitha detyrimet nga marrëveshjet “pa vonesa dhe pa parakushte”.