Nga Jeremy Bowen – BBC
Nëse kjo luftë në Gaza do të ishte si gjithë të tjerat, një armëpushim ndoshta do të kishte qenë në fuqi deri tani.
Të vdekurit do të varroseshin dhe Izraeli do të debatonte me Kombet e Bashkuara se sa shpenzime do të investonte në Gaza për rindërtim.
Por kjo luftë nuk është e tillë. Kjo nuk është vetëm për shkak të përmasave të mëdha të vrasjeve, së pari nga Hamasi më 7 tetor, kryesisht të civilëve izraelitë, e ndjekur nga “hakmarrja e fuqishme” e Izraelit, siç e quajti kryeministri i tij Benjamin Netanyahu.
Kjo luftë është e ndryshme nga të tjerat, sepse vjen në një kohë kur ‘linjat e çarjes’ që ndajnë Lindjen e Mesme po gjëmojnë. Për të paktën dy dekada, përçarja më serioze në peizazhin e thyer gjeopolitik të rajonit ka qenë midis miqve dhe aleatëve të Iranit dhe miqve dhe aleatëve të Shteteve të Bashkuara.
Thelbi i rrjetit të Iranit, i quajtur “boshti i rezistencës”, përbëhet nga Hezbollahu në Liban, regjimi i Asadit në Siri, Houthis në Jemen dhe milicitë e ndryshme irakiane që janë të armatosur dhe të trajnuar nga Irani. Iranianët kanë mbështetur gjithashtu Hamasin dhe Xhihadin Islamik në Gaza.
Irani po afrohet gjithashtu me Rusinë dhe Kinën. Irani është bërë një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve luftarake të Rusisë në Ukrainë. Kina blen një pjesë të madhe të naftës iraniane. Sa më gjatë të vazhdojë lufta në Gaza dhe ndërsa Izraeli vret më shumë civilë palestinezë dhe shkatërron dhjetëra mijëra shtëpi, aq më i madh është rreziku i konfliktit që përfshin disa anëtarë të 2 kampeve.
Kufiri midis Izraelit dhe Libanit po kthehet në vend përplasjesh, të ngadalta, por në mënyrë të qëndrueshme. As Izraeli dhe as Hezbollahu nuk duan një luftë në shkallë të gjerë. Por ndërsa palët tregojnë armë gjithnjë e më të rënda, rreziqet e përshkallëzimit të pakontrolluar do të rriten.
Grupi Houthi në Jemen ka lëshuar raketa dhe drone drejt Izraelit. Ata janë rrëzuar të gjitha, deri më tani, nga mbrojtja ajrore e Izraelit ose nga anijet luftarake të marinës amerikane në Detin e Kuq.
Në Irak, milicitë e mbështetur nga Irani kanë sulmuar bazat amerikane. SHBA u hakmorën në disa nga vendet ku veprojnë në Siri. Përsëri, të gjitha palët po përpiqen të kufizojnë përshkallëzimin, por kontrolli i ritmit të veprimit ushtarak është gjithmonë i vështirë.
Përkrah Amerikës janë Izraeli, shtetet e naftës të Gjirit, Jordania dhe Egjipti. SHBA-ja vazhdon t’i japë mbështetje të fortë Izraelit, edhe pse është e qartë se presidenti Joe Biden nuk ndihet rehat për mënyrën se si Izraeli po vret kaq shumë civilë palestinezë. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë publikisht se shumë civilë palestinezë po vriten.
Aleatët arabë të Amerikës kanë dënuar të gjithë atë që po bën Izraeli dhe kanë bërë thirrje për një armëpushim. Pamjet e qindra e mijëra palestinezëve duke ikur nga shtëpitë e tyre në Gazën veriore dhe duke ecur në rrugën kryesore në jug, kujton ‘fantazmat’ e fitores së Izraelit mbi arabët në luftën e tij për pavarësi në vitin 1948.
Më shumë se 700,000 palestinezë u larguan ose u detyruan të ikin nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e armëve nga izraelitët, ngjarje të cilësuara nga palestinezët si al Nakba – katastrofa. Pasardhësit e refugjatëve të vitit 1948 përfshijnë pjesën më të madhe të popullsisë së Rripit të Gazës.
Bisedat e rrezikshme nga disa prej nacionalistëve ekstremë hebrenj që po mbështesin qeverinë e Benjamin Netanyahut për imponimin e një Nakba-je tjetër mbi palestinezët po alarmojnë shtetet arabe në kampin e Amerikës, veçanërisht Jordaninë dhe Egjiptin. Një ministër në qeverinë e Netanyahut madje mendoi për hedhjen e një bombe bërthamore në Gaza për t’u hakmarrë me Hamasin. Ai u qortua, por nuk u shkarkua.
Të gjitha skenarët ekstremë mund të merren sikur janë çmenduri, por po trajtohen seriozisht në Jordani dhe Egjipt. Nuk është problemi madhor tek armët bërthamore, nga të cilat Izraeli ka një arsenal të madh dhe të padeklaruar, por tek perspektiva e mijëra palestinezëve, që detyrohen të kalojnë kufijtë në forma të ndryshme.
Sa i përket vetë luftës në Gaza, diplomatë të lartë perëndimorë nga vendet që janë aleatë të Izraelit, i thanë BBC-së se përfundimi i luftës dhe ballafaqimi me pasojat do të jetë “i vështirë dhe i çrregullt”.
Një diplomat tha se e vetmja rrugëdalje do të jetë rindërtimi i një horizonti politik për palestinezët. Kjo ishte një referencë për një Palestinë të pavarur përkrah Izraelit, e ashtuquajtura zgjidhje me dy shtete, një ide e dështuar që mbijeton vetëm si një slogan.
Rigjallërimi i planit me dy shtete, ndoshta në kontekstin e një marrëveshjeje më të gjerë midis Izraelit dhe arabëve, është një plan ambicioz dhe ndoshta ideja më e mirë. Por në atmosferën aktuale të dhimbjes, alarmit dhe urrejtjes do të jetë shumë e vështirë për t’u implementuar.
Kjo nuk do të ndodhë nën udhëheqjen aktuale të palestinezëve dhe izraelitëve. Kryeministri Netanyahu nuk e ka zbuluar planin e tij për një ditë pas përfundimit të luftimeve në Gaza, por ai ka hedhur poshtë idenë e Amerikës për të instaluar një qeveri të udhëhequr nga Autoriteti Palestinez, kryesuar nga Presidenti Mahmoud Abbas dhe i dëbuar nga Hamasi nga enklava në 2007.
Pjesa e dytë e planit amerikan është për negociata për një zgjidhje me dy shtete, gjë që Benjamin Netanyahu e ka kundërshtuar gjatë gjithë jetës së tij politike.
Netanyahu është kundër pavarësisë së palestinezëve. Mbijetesa e tij si kryeministër varet nga mbështetja e ekstremistëve hebrenj, të cilët besojnë se i gjithë territori midis lumit Jordan dhe Mesdheut iu dha popullit hebre nga Zoti dhe duhet të jetë i gjithë brenda kufijve të Izraelit.
Shumë izraelitë duan që ai të largohet, duke e fajësuar atë për dështimet e sigurisë dhe inteligjencës që lejuan të ndodhin sulmet e 7 tetorit.
Presidenti palestinez Abbas është në fund të të 80-tave dhe është i diskredituar në sytë e votuesve të mundshëm, megjithëse ai ka qenë një personazh publik politik konsistent, që nga viti 2005. Autoriteti Palestinez bashkëpunon me Izraelin për sigurinë në Bregun Perëndimor, por nuk mund të mbrojë popullin e vet nga kolonët e armatosur hebrenj.
Udhëheqjet ndryshojnë, përfundimisht. Nëse kjo luftë e tmerrshme në Gaza nuk i detyron izraelitët, palestinezët dhe miqtë e tyre të fuqishëm të përpiqen përsëri për të bërë paqe, atëherë e ardhmja e vetme është të kemi më shumë luftë. Gjë që bota nuk do e donte.