Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin nga arrest me burg në arrest shtëpie.
Avokati Genc Gjokutaj bëri me dije se për ish-kryeministrin Sali Berisha nuk është ndryshuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i largimit jashtë shtetit”.
“Gjykata shpalli vendimin duke miratuar për pjesën e zotit Berisha dhe duke ndryshuar pjesën për Jamarbër Malltezin dhe duke caktuar masën e sigurimit, atë të arrestit në shtëpi. Sigurisht kjo çështje mbetet politike. Është një gërvishtje sepse Jamarbër Malltezi nuk ka asnjë lloj penaliteti”, tha avokati Genc Gjokutaj.
Vendimi u mor këtë të martë nga një trup gjykues që drejtohej nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.
Sa i përket Berishës, avokati tha se nuk paraqitet para oficerëve gjyqësorë për shkak se masa ndaj tij është antikushtetuese dhe hodhi poshtë mundësinë që për këtë shkak ndaj tij të kërkohet një masë shtrënguese më e ashpër. Gjokutaj e cilësoi procesin ndaj klientit të tij politik dhe theksoi se beteja do të vijojë.
Sipas avokatit Gjokutaj, kallëzimi i Taulant Ballës është regjistruar në të njëjtën ditë që është depozituar, që tregon sipas tij se kemi të bëjmë me një hetim të dirigjuar politikisht
“Që kjo çështje është politike ju bëj me dije edhe këtë faqe të kallëzimit, në të cilin keni edhe kallëzimin edhe regjistrimin e procedimit brenda një dite. Është e pamundur që për çështje të tilla voluminoze brenda 1 dite të dorëzohet kallëzimi dhe të regjistrohet procedimi penal. Ne do të vazhdojmë betejën ligjore. Ashpërsimi i masave të sigurimit ka të bëjë me rrezikun e ikjes. Zoti Berisha nuk ka rrezik që të ikë. Çdo ditë e keni në media, 2 herë në javë është në parlament. Problemi është ligjor sepse ajo masë, detyrim paraqitje, rrjedh nga një proces antikushtetuese. Kemi seancë tjetër të enjten për humbjen e fuqisë. Ne do të shfrytëzojmë të gjitha mjete ligjore, beteja do të jetë e gjatë. Vendimi i gjykatës (së Apelit) është një kopje e keqe e Shkallës së Parë. Kjo gjykatë pati durim për të dëgjuar, por spati kurajo për të vendosur”.
Malltezi akuzohet për pastrim parash dhe korrupsion për çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv Partizani. SPAK thotë se ai ka përfituar 5.4 milionë Euro, gjatë këtyre procedurave, i favorizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, të cilin e ka vjehërr. Berisha akuzohet për këtë çështje për korrupsion pasiv. Nën hetim për këtë rast është edhe biznesmeni Fatmir Bektashi.