Ekonomi IPARD gjen 33.5 mln euro parregullsi në Shqipëri, sa 71% e abuzimeve...

IPARD gjen 33.5 mln euro parregullsi në Shqipëri, sa 71% e abuzimeve në të gjithë Ballkanin

Parregullsitë e gjetura me fondet e Bashkimit Europian (BE) për bujqësinë në Shqipëri, të dhëna nga programet IPARD, përbëjnë një shumë prej 33,5 milionë eurosh, e cila është 2,5 herë me lartë se shuma prej 13 milionë euro që nuk është përdorur në mënyrë të rregullt nga 6 shtete të tjera në Ballkan të tilla si Turqia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i zi, Bullgari dhe Rumania.

Të dhënat janë raportuar në një dokument pune të Komisionit Europian (KE), i cili jep një vlerësim statistikor të parregullsive të raportuara për vitin 2022, që nuk përbëjnë veprimtari mashtruese.

Shuma totale e parregullsive e gjetur në 7 shtete të Ballkanit është rreth 47 milionë euro, nga të cilat 71% i takojnë Shqipërisë dhe 13 mln euro ose 29 % në 6 vende te tjera.

Dokumenti i KE tregon se nga viti 2021 deri në vitin 2022, numri i parregullsive jo-mashtruese pësoi rritje të jashtëzakonshme dhe roli kryesor i takon Shqipërisë.

Numrin më të lartë të rasteve me parregullsi e kishin Turqia dhe Maqedonia e Veriut, por vlera më e lartë monetare e abuzimeve i takon Shqipërisë, theksojnë ekspertët e KE.

Psh në Turqi u gjetën 208 raste të parregullta ku janë përdorur fondet e IPARD. Por vlera e fondeve në këto raste ka qenë e vogël, më pak se 10 mijë euro, duke bërë që shuma e konsideruar e parregullt në rastin e Turqisë mos të jetë më shumë se 7.9 milionë euro. Turqia është një shtet në proces anëtarësimi me dhe me një popullsi 31 herë më të madhe se Shqipëria.

Në Maqedoninë e Veriut fondet e IPARD të gjetura në parregullsi janë rreth 3.2 milionë euro që u takojnë 155 rasteve.

Përjashtim bën Shqipëria e cila nuk ka përdorur sipas rregullave shuma për projekte të mëdha. Psh në vendin tonë janë gjetur 54 raste të parregullta, që përbëjnë një shumë prej 33.5 milionë eurosh 98 për qind e së cilës ishte vetëm në vitin 2022.

Për shkak të parregullsive dhe skemave mashtruese BE ka bllokuar fondet e IPARD për Shqipërinë, duke i dhënë një goditje të lartë sektorit, i cili veç të tjerash vuan edhe nga mungesa e financimeve të brendshme.

Në të gjithë rajonin, fondet e IPARD shënuan rritje të disbursimeve pas pandemisë. Shqipëria do të përfitonte nga viti 2023 deri më 2027 rreth 94 milionë euro.

Shqipëria dhe Serbia ishin përfituesit më të mëdhenj nga programi IPARD, por një proces hetimi nga zyra e hetimit për rregullisë e procesit (OLAF) ka bllokuar fondet për Shqipërinë për një kohë të pacaktuar.

Fondet e paketa në dispozicion nuk po mundësojnë investime në mbrojtjen e bujqësisë nga ndryshimet klimatike dhe as nuk mund të nxisin novacionin në këtë fushë për të rritur rendimentin që në shumë kultura është shumë më i ulët se në BE./Monitor