Extra Rama rrëfen historinë reale të emigrantit që donte t’i blinte një vaskë...

Rama rrëfen historinë reale të emigrantit që donte t’i blinte një vaskë babait

Në fjalën e tij në Samitin e Diasporës, kryeministri Edi Rama paralelizoi suksesin e shqiptarëve në botë, të cilët njihen nga të gjithë, me njerëzit e thjeshtë, historitë e të cilëve shpesh nuk thuhen.

Ai rrëfeu historinë e një djali emigrant, i cili siç thotë Rama punoi fort për ëndrrën e tij modeste, por pas shumë lodhjesh ia arriti.

“Ndërkohë që mendohesha se çfarë do thoja këtu, m’u kujtua historia reale ne një djali, që ishte minoren kur iku nga një zonë e thellë në Greqi, kaloi kufirin ilegalisht dhe punonte si mbledhës frutash e kursente çdo lek që merrte, aq sa flinte në pemë. Në pemën e arave ku punonte. Dhe pse i kursente? Se kishte dhe ai një ëndërr, kur kishte shkuar atje për herë të parë, ishte larë më ujë të ngrohtë në vaskë dhe kishte ëndërr ta blinte e ta çonte në fshat e të lante babain.

Dhe ma ka treguar se si arriti të mbledhë lekët, të blinte vaskën dhe të paguante transportin, të bënte gjithë rrugën me mallrat aty afër vaskës që të ishte i sigurt që do arrinte në destinacion, të merrte pastaj një tjetër kamionçinë dhe kur futi vaskën në shtëpi, gjithë familja e priste, panë atë formën e çuditshme dhe menduan se djali qenka çmendur, e instaloi, hodhi dhe sapunët dhe e futi babain në vaskë. Më tha nuk doja që ai të vdiste pa provuar të lahej njëherë si njeri!

Sa janë këto histori e sa ka ndryshuar sot jeta e të gjithë atyre që në vitet ’90 u larguan dhe u përballën me vulën në ballë si njerëz të padëshiruar, por mësimi i të gjithëve është sa shumë mund të bëjmë kur realisht jemi gati ta ndjekim ëndrrën dhe të kuptojmë se nëse vendet tona ku ne kemi fuqinë shtetbërëse, nuk kanë arritur për shumë e shumë kohë aty ku duhej të ishin sot, kjo ka të bëjë me aftësitë tona.”