Rreth një vit pasi humbi jetën në rrethana të dyshimta, Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vdekjen e Lear Kurtit në Komisariatin Nr.3 dhe kërkoi në gjykatë pushimin e çështjes, me argumentin se nuk janë gjetur shkelje penale nga efektivët e policisë.
Sipas ekspertizës, i riu humbi jetën nga mbidoza e drogës. I riu humbi jetën pas shoqërimit nga policia në Komisariatin numër 3 më 19 tetor 2022.
Familjarët e Kurtit hodhën akuza se 32-vjeçari vdiq nga dhuna e ushtruar, sipas tyre nga efektivët në momentin e shoqërimit.
Por ekspertiza, e cila doli më 18 nëntor 2022, arriti në përfundimin se “shkaku i vdekjes së shtetasit Lear Kurti, ka qenë helmimi akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik”.
Mjekët ligjorë treguan vetëm shkakun e vdekjes së të riut, duke mos dhënë detaje mbi kohën kur ka ndërruar jetë.
“Kështu, në akt-ekspertizën përfundimtare, 5 mjekë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, duket se kanë dhënë një përgjigje finale mbi ngjarjen e rëndë të 19 tetorit. Përgjigjja shkencore e ekspertëve hedh poshtë dyshimet se ndaj Lear Kurtit, patrulla e Policisë ushtroi veprime arbitrare, çka do të sjellë pushimin e kësaj akuze”, tha Prokuroria në atë kohë.
Tashmë dosja është dorëzuar në gjykatë dhe pritet që kjo e fundit të vendosë nëse do pranojë apo jo kërkesën e prokurorisë.
Lear Kurti po ecte në këmbë mesnatën e 19 tetorit kur u konstatua nga një patrullë policie që i kërkoi të ndalojë.
Por i riu u largua me vrap duke u ndjekur nga policia, e cila e neutralizoi në një rrugicë ku ai shfaqi problemet e para shëndetësore.
30 minuta më vonë gjendja e tij u përkeqësua dhe nga komisariati i riu u transportua në spital ku dhe humbi jetën pa mbërritur ende.
Është pikërisht ky moment i dyshimtë që futi në përplasje një sërë institucionesh përfshirë edhe Spitalin e Traumës, mjekët e të cilit hodhën poshtë faktin që pacienti që çoi policia në spital të kishte shenja jete.
Ata u morën në pyetje nga prokuroria dhe pranuan se kishin bërë gjithçka mundën që ta kthenin në jetë të riun, por nuk ia kishin dalë.
Vdekja e të riut shkaktoi polemika, pasi opozita akuzoi Policinë e Shtetit se ishin ata që e vranë Lear Kurtin dhe për ketë thirrën edhe protesta duke kërkuar drejtësi.
Deri në sqarimin e plotë të ngjarjes, kryepolici Muhamet Rrumbullaku, pezulloi nga detyra efektivët që e shoqëruan të riun në komisariat.