Ashtu siç pritej, edhe kjo e hënë në parlament nisi me tensione.
Fillimisht përplasje pati në hyrje të Kuvendit. Tentativa e punonjësve të Gardës për t’i kontrolluar solli reagimin e ashpër të deputetëve të opozitës. Tensionet u shoqëruan edhe me shtyrje mes njëri-tjetrit.
Megjithatë, pak minuta më pas, opozitarët u futën brenda.
E teksa kreu i PD, Sali Berisha komunikonte nëpërmjet rrjeteve sociale me qytetarët, ai që u shfaq tejet i revoltuar ishte Gazment Bardhi. Inatin drejtuar socialistëve, e zbrasi kryesisht ndaj kreut të grupit parlamentar të PS, Blendi Çuçi.
“20 gardistë me hyrë në sallë të parlamentit, 20 gardistë! Ça jeni ju mo? Kush jeni ju mo, që ndaloni deputetin me hyrë në sallë të parlamentit? Ça ju duket vetja ju? Ça ke që shikon ashtu ti? S’të vjen turp mo! Shife çfarë keni bo, shko ere legen! Shko ere, s’ju vjen zor s’ju vjen! Mbaje gojën!”, dëgjohet të thotë mes të tjerash Bardhi.