Aktualitet Zbulohet një bazë e grupeve kriminale në Fushë Kuqe

Zbulohet një bazë e grupeve kriminale në Fushë Kuqe

Policia ka zbuluar në Fushë Kuqe, një bazë ku furnizoheshin me mjete, grupe kriminale, me qëllim kryerjen e krimeve të rënda kundër personit.

Në brendësi të kësaj shtëpie, e cila ndodhej në fshatin Gorre të Fushë Kuqes, u zbulua “një automjet me ndërhyrje në të për fshehje të të dhënave, 5 motomjete dhe 4 palë targa të vjedhura në Shqipëri dhe Kosovë, një sasi lënde plasëse me fitil zjarr përcjellës, veshje për kamuflazh dhe sende të tjera që shërbenin për kryerjen e krimeve”.

Shtëpia ishte në pronësi të 40-vjeçarit Aleks Lulashi, i cili u vu në pranga.

Në njoftimin e saj për mediat, policia thotë se vijon intensivisht puna me qëllim arrestimin e personave për llogari të të cilëve posedoheshin këto mjete/sende dhe që ishin bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.

Çfarë u sekuestrua

-1 automjet tip “Mazda”, me ndërhyrje dhe me dëmtime në strukturën e tij, për të pamundësuar përcaktimin e të dhënave të automjetit;

-5 motomjete me fuqi të lartë motorike, të dyshuar të vjedhur;

-4 palë targa, për automjete dhe motomjete, të dyshuara të vjedhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në Kosovë;

-400 gramë lëndë e dyshuar eksplozive, me fitil zjarrpërcjellës, e gatshme për shpërthim;

-Kapuçë si maska, doreza dhe skafanda motomjetesh, veshje për kamuflazh, si dhe një sërë sendesh të tjera që do t’i shërbenin kryerjes së ngjarjeve të rënda kriminale.