Vrasja e 30-vjeçares Liridona Ademajt të mërkurën e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi”, në Prishtinë tronditi opinionin publik në Kosovë, por edhe në Shqipëri.
Fillimisht, Policia e Kosovës rastin e raportoi si “grabitje me pasoja të vrasjes”, kurse dy ditë më vonë, u bë i ditur arrestimi i tre personave të dyshuar për rastin.
Njëri nga ta ishte pikërisht bashkëshorti i tashmë të ndjerës, Liridonës, Naim Murseli, kurse tjetri i identifikuar ishte Granit Plava, i cili dyshohet se kreu vrasjen “me porosi”.
Granit Plava, i cili është edhe bashkëfshatarë me Naim Murselin, dyshohet se për kryerjen e vrasjes u pagua 30.000 euro nga Murseli, 15 mijë euro i kishte marrë para kryerjes së vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’i merrte pas vrasjes së Liridonës.
E më vonë, Policia e Kosovës arrestoi edhe një person të tretë si të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt. Siç u mësua, i arrestuari ishte Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Por cila ishte arsyeja që e nxiti atë drejt kësaj vepre kriminale?
Sipas raportimeve në disa media, Naim Murseli para një kohe i kishte paguar sigurimin jetësor Liridona Ademajt në një kompani suedeze. E për këtë pretendohej se sigurimi mund të mbulonte shpenzimet deri në 20 milionë euro.
Por gazetari i gazetës suedeze Bohusläningen, Henrik Lundbjörk, ka thënë për KosovaPress, se sipas njohurive të tij, shuma më e lartë e vlerës së sigurimit është 500 mijë euro.
Në anën tjetër, raportet mes çiftit nuk ishin në më të mirën e tyre, diçka që mund të mos kenë qenë të informuara familjet e tyre.
Në një dokument që ka siguruar KosovaPress, konfirmohet se Naimi dhe Liridona kishin bërë një kërkesë të përbashkët për divorc në një gjykatë suedeze.