Blendi Teta ka dëshmuar në procesin gjyqësor në ngarkim të Leonard dhe Elis Dukës, Fatmir Hysenit, Oltion Logut, Aleksandër Manxhakut dhe Dritan Agajt. Procesi është duke u zhvilluar në mungesë. Të pandehurit akuzohen për vrasjen e Santiago Malkos më 27 Gusht të 2019. Blendi Teta iu përgjigj pyetjeve të prokurorit dhe avokatëve të të pandehurve.
Ai deklaroi se njohjen me vëllezërit Duka e kishte pasi ishte menaxher për Tiranën i kompanisë së tyre të basteve sportive.
Ai ka mohuar të ketë rol në vrasje, si dhe mohon njohjen apo ndonjë përplasje të mundshme me Santiago Malkon.
“Nuk e njoh Santiago Malkon dhe nuk kam asnjë dijeni për ngjarjen e 27 gushtit 2019. Në atë kohë kam qenë në Shqipëri. Në datë 27 unë kam qenë për një drekë tek lokali “La Familia” në zonën e Freskut. Në atë kohë isha menaxher i kompanisë së llotove të vëllezërve Duka për Tiranën. Ata i kam njohur 3 vite më pas pasi ju kam shitur atyre dhe Ervis Martinajt kompanin time të basteve sportive. Në darkë më ka dërguar me makinë e Ervis Metanit sepse makinën time e kishte marrë shoqja ime e cila kishte shkuar në Kavajë për punë personale. Në darkë me Leonard dhe Elis Dukës, Fatmir Hysenit, Oltion Logut, Aleksandër Manxhakut, të gjithë ishim menaxher për qarqe të ndryshme të lojrave të fatit. Kam shkuar tek dreka rreth orës 17:00 dhe kam qëndruar deri nga ora 19:30 ose 19:45 jam larguar. Ngaqë nuk kisha makinë i kam kërkuar Ilir Selmanit të më shoqëronte me makinën e punës që ishte Skoda e bardhë dhe e përdorimin për të transportuar tavolinat e llotove. Selmani më ka shoqëruar deri sa të gjeja një taksi. Kemi kaluar tek komisariati 4 dhe më pas kam shkuar tek spitali i fëmijeve. Njëra taksi ishte e prishur dhe një shitje e kioskës më tha prit 5 minuta se vjen taksia tjetër. Thekoj që celularin e kisha të fikur. Duke qëndruar aty kam dashur të shkoj ne tualet. Aty në nj lokal përbri spitalit 5 nuk kishte tualet dhe jam futur tek spitali brenda për nevojat personale”, deklaroi ai.
Me ndërhyrjen e gjykatës Teta tha: “Nuk kam hyrë në spitalin e fëmijëve por tek spitali 5. Më të mbërritur taksia jam nisur drejt banesës së shoqes time, në Don Bosko. Ndërkohë familjen i kam me banim në afërsi të Liqenit të Thatë. Aktivitetin e llotove e ushtroja që nga 2005 në shtator të 2019. Vrasjen e kam mësuar disa ditë me vonë në gazeta. Më pas kam marrë informacion që isha në kërkim për lojërat e fatit dhe jam larguar për në Golem aty ku kam qëndruar deri në datë 13 shtator. Dua të sqaroj që me Ervis Martinajn dhe vëllezërit Duka kam pas të njëjtin raport, çështje llotosh. Gjatë kohës që isha në Golem taksisti që përdorja shpesh dhe që rrinte poshtë shtëpisë së shoqes time më ka treguar se policia më kishte kontrolluar shtëpinë. Me shoqen nuk flisja se ajo kishte frikë ngaqë kishte shkuar policia. Ndërsa më gruan dhe fëmijet nuk kisha folur. Kur jam kthyer në Tiranë më datë 13 më ka arrestuar policia, aty nuk kam dhënë deklarime të nesërmen më kanë dhënë me firmos ca letra dhe më thanë që janë letrat e avokatit. Unë nuk kam lidhje me këtë ngjarje, as e njoh Santiago Malkon”.
Më pas Blendi Teta ka kërkuar që të bëj një deklarim në seancë. Ai tregoi si u mor peng nga Ervis Martinaj për t’i treguar ku fshiheshin kundërshtarët e tij, vëllezërit Duka.
“Dua të sqaroj e nderuar gjykatë që edhe pse e dija që isha në kërkim për llotot, unë lëvizja. Në datën 8 ose 9 shtator të 2019 Ervis Martinaj ka kërkuar të më takojë. Për këtë gjë ai më ka sjellë për të më takuar një nga çunat e tij me emrin Arbër. E kam takuar Martinajn po atë ditë tek ETC në një lokal në kat të dytë. Ai ishte aty me disa nga anëtarët e grupit të tij mes tyre edhe Erigers Mihasi. Aty Martinaj më tregoi videon time kur po prisja taksinë pranë spitalit. Aty më kërcënuan dhe më kërkoi të tregoj për vëllezërit Duka. Më pas më ka marrë dhe nën kërcënimin e armëve më kanë dërguar në një bodrum në Sauk. Aty më kanë kërcënuar duke më thëne se të tregoja se kush ishte i përfshirë në ngjarjen e Malkos dhe se ku rrinin vëllezërit Duka. U kam sqaruar se nuk di asgjë, Martinaj dhe grupi i tij më kërcënuan se do më vrisnin dhe do më murosnin. Më pas ata më kanë lënë të lirë. E nderuar gjykatë dua që ti bëj një pyetje prokurorit”, tha ai.
“A mund të më thoni kush është personi me pseudonimin “Tigri” tek SKY ECC që ka dhënë 500 mijë euro për të fundosur vëllezërit Duka?” Gjykata i drejtoi këtë pyetje dhe i kërkoi shpjegime për këto informacione.
Teta u shpreh se i ka mësuar duke qenë se ka 4 vite në burg për këtë çështje.
Blendi Teta është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Malkos. I bashkëpandehuri tjetër Ilir Selmani i cili u dënua me 28 vite burg, kishte sjellë një deklaratë ku theksonte se ishte i sëmurë dhe se do të vinte për të dhënë shpjegime në gjykatë në seancën e radhës. Po ashtu prokuroria kërkon që të thirret edhe Adjan Ahmeti pasi nuk është bërë e mundur të gjendet. Seanca e radhës do të zhvillohet në 19 dhjetor.