Një në shtatë shqiptarë që marrin rrogë mujore punojnë si shitës, kamerier, administrator ose punëtor krahu. Në total janë 102 mijë të punësuar në këto profesione e zanate. Lista kryesohet nga shitësit në dyqane, me mbi 39 mijë të tillë, ndjekur nga administratorët në sipërmarrje private me gati 22 400 të punësuar.
Kryesisht në biznesin më popullor në vend, atë të kafeneve, punojnë gati 14 mijë kamerierë, ndërsa numri i punëtorëve të krahut dhe atyre ndihmës përllogaritet në gati 27 mijë.
Shpëtim Agolli, ish-kryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, shprehet për A2 CNN: “Në ekonomi, punësimi është tregues i strukturës së saj. Të gjithë e dimë që Shqipëria ka numrin më të lartë të bar-kafeve në rajon. Pas pandemisë, në vendet e tjera u ul numri i bar-kafeve, te ne u rrit”.
Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë ndërkohë profesionet më pak të përhapura në vend, që janë artistët imitues, asistent shëndetësor i komunitetit, bakteriolog për produktet ushqimore, bashkues tubash dhe dirigjent për grupe vokali.
“Ka të bëjë me kërkesën dhe ofertën. Për aq kohë sa kujdesi social merr më pak vëmendje, rrjedhimisht do të ketë më pak të punësuar. E njëjta vlen edhe për profilet e tjera”, shtoi Agolli.
Këto profile profesionesh, tregues i një ekonomie të bazuar te bizneset e shërbimeve, për përfaqësues nga ky sektor lidhen me strukturën financiare të Shqipërisë: “Janë fryte të politikave të cilat nuk kanë mundur ta çojnë ekonominë në një nivel tjetër. Ndaj, sot kemi një ekonomi të prapambetur që nuk prodhon”.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se gati 87% e bizneseve në vend janë të përqendruara në tregti, shërbim ushqimor, akomodim, transport dhe komunikacion./A2CNN