Prokuroria e Posaçme i ka dërguar kërkesë Kuvendit për t’i hequr imunitetin ish-kryeministrit Berisha, i cili është nën hetim për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Kërkesa e SPAK
“E nderuar znj. Kryetare e Kuvendit! Të nderuar Deputetë të Kuvendit ! Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 231, 260, 288, 289 të K.Pr.Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali BERISHA, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal shtrëngues nga ajo e “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr. Penale, në atë të arrestit në burg/ arrest në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr. 287 të vitit 2020, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë. Gjithashtu në respektim të nenit 288 pika 2, të K.Pr.Penale, bashkalidhur gjeni relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse. Duke ju falenderuar për bashkëpunimin“, shkruhet në dokument.
Çfarë ndodh tani?
Fillimisht duhet që Kuvendi të shprehet për Berishën dhe nëse autorizohet SPAK, atëherë shtrëngohet masa e sigurisë dhe tashmë Berisha duhet të qëndrojë në arrest shtëpie sipas masës së sigurisë të dhënë nga GJKKO.
Berisha nuk ka pranuar të njihet me masën e sigurisë nga GJKKO deri më tani me argumentin se nuk ishte dhënë leja nga Parlamenti që drejtësia të vepronte me të. Por, me kërkesën e sotme dhe nëse Kuvendi e lejon SPAK-un të veprojë, situata bëhet më e vështirë për ish-kryeministrin pasi Prokuroria Speciale i ka duart e lira që t’i kërkojë policisë edhe të veprojë me forcë.
Fillimisht Berisha do të njihet me vendimin e Kuvendit dhe më pas ai merr masën “arrest shtëpie”. Nëse Berisha refuzon masën e sigurisë “arrest shtëpie” SPAK ka të drejtë që të kërkojë një tjetër masë sigurie për të.
Berisha deri më tani nuk ka marrë në konsideratë vendimin e GJKKO-së duke refuzuar që të paraqitet në gjykatë. Kjo sepse ai i ka hedhur poshtë akuzat si të pabaza, duke i cilësuar si sulme politike të kryeministrit Edi Rama.