Nga Aurenc Bebja*, Francë
“Pro Armenia” ka botuar, me 15 prill 1903, në faqen n°6, letrën e shkrimtarit bullgar Stojan Michaïlowski me rastin e botimit asokohe të numrit të parë të gazetës së re në gjuhën shqipe “Vetëtima” në Sofje, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Një letër nga Stojan Michaïlowski
Një gazetë e re në gjuhën shqipe, Vetëtima (l’Éclair) sapo ka dalë në Sofje. Numri i parë fillon me një letër të Stojan Michaïlowskit, i cili duket se nuk e konsideron të pamundur një mirëkuptim midis shqiptarëve dhe maqedonasve, ndryshe nga sa besohet zakonisht. Ja kjo letër:
“Botimi i një gazete të re shqipe në Sofje është më shumë se një akt guximi; është një ngjarje.
Është një manifestim i shpirtit shqiptar.
Gradualisht, por me siguri, kombi shqiptar po ecën përpara në rrugën e progresit.
Dje ishte zgjimi. Nesër do të jetë vetëqeverisja.
Shqiptarët duan atë që duan, kudo në Turqi, rajat, atë që duan këta krishterë fatkeqë të Maqedonisë, fati i të cilëve po preokupon sot opinionin evropian: — vendin e tyre në diell, të drejta të pajtueshme me dinjitetin njerëzor, një atdhe të lirë.
Me zemrat e guximshme asgjë nuk është e pamundur! Shqipëria do të triumfojë, po ashtu edhe Maqedonia. Drejtësia do ta ketë gjithmonë fjalën e fundit në këtë botë; për nder të njerëzimit nuk mund të ishte ndryshe.
Më shumë se kurrë, Turqia aziatike me tërbim, e pamëshirshme me Evropën, armiqësore ndaj çdo gjëje të ndershme, inteligjente, bujare, na sulmon me urrejtjen e saj shtazore dhe të pathyeshme!
Epo! Ne do të dyfishojmë përpjekjet tona !
Ne kurrë nuk do të ndalemi së thirruri ndaj kësaj torfe sinekristësh, eunukësh, odaliskësh, shërbëtorësh, të preferuarish — që përbëjnë rrethin e Sulltanit të Kuq : — “Kaloni sërish Bosforin! Ju përfaqësoni të kaluarën e vdekur; ju jeni mohimi i çdo rendi moral ose material; ju jetoni me plaçkitje dhe dhunë; shkoni të gjeni çakejtë dhe hienat : jeni të së njëjtës racë!”
Ne do të organizojmë rezistencën — këtë rezistencë të madhe dhe të shenjtë, e cila është preambula e gjithë rinovimit shoqëror. Birucat e torturës mund të jenë të tejmbushura — ne do të veprojmë — do të jemi të palodhur. Ne e dimë shumë mirë se kushdo që është i vendosur të sakrifikojë gjithçka për pavarësinë e tij nuk mund të shkatërrohet.
Pastaj, një ditë, revolucioni hakmarrës do të shpërthejë — revolucioni i madh dhe i bukur i rajave (raïave)…
Atë ditë, nuk do të ketë më Turqi!”
Sofje
Stojan Michaïlowski
Kryetar i Komitetit Maqedono-Andrinopojës.
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania