Politika Berisha: Rama mendon se duke më vendosur në arrest do më mbyllë...

Berisha: Rama mendon se duke më vendosur në arrest do më mbyllë gojën, por gabon

Sali Berisha ishte në Shkodër këtë të mërkurë ku zhvilloi një bashkëbisedim me anëtarët dhe simpatizantët e opozitës.

Ish-kryeministri tha se kryeministri Edi Rama kërkon t’i mbyllë gojën duke e vendosur në arrest, por gabon me këtë.

“Sot jemi në një diktaturë, një shtet në të cilin çdo pushtet është përqendruar në dorën e një njeriu. Ai mendon se duke vendosur në arrest Sali Berishën, do mund t’ia mbyllë gojën. Gabon, përkundrazi! Zotohem këtu se mosbindja civile, pavarësisht çfarë qëndrimi do mbajë ai, do jetë vullkani që do përmbysë këtë narkodiktaturë njëherë e përgjithmonë. Ky vullkan nuk mund të jetë askund tjetër më i fuqishëm se në Shkodër. Shkodra ka qenë në kohërat më të vështira, epiqendra e qëndresës njerëzore për liri, dinjitet dhe vlera. Kam bindjen më të madhe se qytetarët e Shkodrës, burrat dhe gratë liridashës të këtij qyteti, do ngrihen fuqishëm në mosbindje civile dhe do japin kontributin historik, siç kanë dhënë në diktaturën e parë, në përmbysjen e kësaj diktature”, tha Berisha.