Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, ka folur pas zhvillimeve në seancën e kësaj të enjteje në Kuvend, e cila u karakterizua nga kaosi. Ai foli edhe për kërkesën e SPAK për t’i hequr mandatin deputetit Sali Berisha.
Kreu i grupit të PS theksoi se qëndrimi i tyre në këtë pikë ka qenë i prerë. “Pa diskutim që do të votojmë. Qëndrimi ynë është i qartë i prerë në këtë pikë. Nuk kemi diskutuar as mandatin e kolegëve tanë kur vjen puna kur SPAK-u kërkon përjashtimin”, tha Çuçi.
Më tej, ai u shpreh se po tentohet të digjet parlamenti për Sali Berishën, ndërsa shtoi se të mendosh që Gazment Bardhi do të vijë dhe do të votojë imunitetin e Berishës, është qesharake.
“Po duan të djegin parlamentin për Berishën. Nuk ka sfidë fare nuk është çështje dëshire por zbatim i ligjit. Ne jemi në ushtrim të plotë të sovranitetit që na kanë kërkuar shqiptarët. Qesharake të mendosh se Bardhi do të vij dhe do të votojë imunitetin e Berishës”, u shpreh Çuçi.