Kryesore Ndryshimi i rregullores së Kuvendit, reagon Meta: Po synohet asgjësimi i opozitës

Ndryshimi i rregullores së Kuvendit, reagon Meta: Po synohet asgjësimi i opozitës

Në seancën që zgjati rreth 10 minuta këtë të enjte, e cila u karakterizua nga kaosi, deputetët e mazhorancës miratuan ndryshimet e rregullores së Kuvendit. Në ndryshimet e reja, deputetët që thyejnë rregullat do të përjashtohen jo më 10 ditë maksimumi, por deri në 60 ditë.

Për këto ndryshime ka reaguar me anë të një statusi në rrjetet sociale edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ai shkruan se pezullimi i mandateve të deputetëve në këtë mënyrë antikushtetuese është i papranueshëm.

“Ndryshimet e njëanshme të Rregullores së Kuvendit të bëra në mënyrë arbitrare dhe përjashtuese synojnë asgjësimin e opozitës dhe parlamentarizmit.

Ndaj pezullimi i mandateve të deputetëve në këtë mënyrë antikushtetuese është i papranueshëm.

Vetëm plotësimi i kërkesave të opozitës rikthen normalitetin në Kuvend dhe garanton rolin e tij kontrollues ndaj qeverisë”, shkruan Meta.